Veteranët e Arsimit në Gjilan janë të zhgënjyer me këtë shtet e me këtë Qeveri
Gjilan – Sot, para 42 delegatëve të arsimit, është mbajtur Kuvendi i III-të zgjedhor i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit “Mehmet Gjevori” në Gjilan. Fillimisht, Ilmi Ibrahimi, kryetar i Shoqatës në fjalë tha se, arsimtarët tanë, në një kohë të rëndë të jetës e punës, kanë sakrifikuar çdo gjë nga veti për të mbijetuar shkolla jonë kombëtare shqipe.
“Si arsimi fillor dhe ai i mesëm në Gjilan, në një kohë jo të largët, para luftës së fundit 1999, ka përjetuar gjendje të jashtëzakonshme nën regjimin okupues serb. Punëtorët tanë të arsimit punuan me inat dhe me vullnet dhe nuk janë gjunjëzuar para një okupatori të egër e barbar. Siç dihet, është punuar nëpër të ashtuquajtura shtëpi- shkolla, ku procesi mësimor është mbajtur e zhvilluar me dinjitet e me sakrifica. Pra, para një regjimi brutal, arsimtarët shqiptarë e kanë dhënë provimin e tyre, të cilët, sot, ky provim po shpërblehet pa dinjitet dhe tejet injorues. Siç dihet, veteranë e arsimit, sot janë të anashkaluar nga shteti e pushteti. Nuk shpërblehen për ato vite që kanë punuar, ku sot, gjendja e tyre është mjerim i kohës. Në asnjë vend në rajon e më gjerë nuk ka diskriminim më të keq se që po bëhet tek veteranët e arsimit tanë. Kjo është një gjendje vajtuese dhe shumë shqetësuese”.
Ilmi Rexhepi, veteran i arsimit tha se, nga sot, kjo shoqatë do të jetë ta ketë emrin OJQ. “Besoj se, do të mundohemi që të punojmë dhe gjendjen e tillë j të mirë ta aktualizojmë me vepra. Duhet t’i kërkojmë të drejtat tona, të cilat askush s’po i përfill. Është shqetësim dhe gjendje për brengosje”. Maksut Maksuti, veteran i arsimit tha se, gjendja e kësaj shoqate nuk është aq për lakmi. “Unë jam që ky Kuvend ta ketë një kryetar tjetër, i cili do të duhej të punojë më shumë se gjer më sot. Sot për sot, jemi kategoria më zhgënjyese e shoqërisë sonë. Jemi të izoluar nga shteti e nga shoqëria. I meritojmë katër paga, por nuk na japin. Disa këto paga i marrin me njohësi, e disa jo. E qeveritarët tanë nuk e qajnë kokën për gjendjen tonë për 10 vjet pune e të njohjes së stazhit. Kjo është padrejtësi që po na bëhet ne. Ne duhet t’i kërkojmë këto para tona. Nuk kanë faj ata që janë në kryer të punës, sepse ua kemi dhënë diplomat dhe dëftesat dhe po luajnë tash me ne. Po e përjetojmë një lloj tragjedie në vete. Pra, duhet të reagojmë edhe në instancat më të larta të shtetit, sepse gjendja jonë s’po ndryshon fare, por ka mbetur e tillë si është tash. Këta njerëz i kanë mbushur xhepat me para, e për ne s’po mendojnë fare. Pyes: a jemi njerëz të këtij shteti? Bie fjala, disa “shpërblehen me nga 75 euro, e disa me nga 140 euro! Kjo është fatkeqësi jonë.
Jonuz Dërvodeli, profesor tha se, me kënaqësi iu përgjigja ftesës që të jemi edhe unë në këtë Kuvend të ShV të Arsimit në Gjilan. “Shihni, shoqëria na ka shumë borxh. Ajo e ka vështirë ta lajë borxhin ndaj nesh, sepse, ky arsimtar veteran ka punuar dhe aty e ka pasur punën për ta mbrojtur arsimin tonë kombëtar. Ai ka qenë “luftëtar” i këtij vendi. Edhe nga kërcënimet e shumta që i bëheshin arsimtarëve tanë nga ana e organeve të dhunshme serbe, ata jo vetëm që nuk janë frikësuar atyre, por e kanë vazhduar punën dhe nuk janë gjunjëzuar edhe para tytave të armikut. Ky është fati i arsimtarëve tanë, i cili fat erdhi tashti si fatkeqësi. Një qeveri që nuk investon në arsim, vështirë e ka të përparojë përpara. Pagën që po e merr veterani i arsimit, është jo vetëm fyese, por denigruese dhe injoruese gjer në fund. Vështirë një punëtor i arsimit mund t’ia dalë jetës me këtë “lëmoshë” fyese! Pyes, ku po jetë kontributi i arsimtarëve tanë? Stazhi duhet të kompensohet për dhjetë vite. Aty është puna e tyre, e cila, përkundër dhunës e kërcënimit, puna me ditar nuk është ndalë.
Mexhit Hoxha, punëtor i arsimit në pension tha se, nuk jam i kënaqur me këtë gjendje jo të mirë të veteranëve dhe pensionistëve të arsimit. “Qe 40 vite bëra punë e “shpërblehem” me 75 euro! Ku ka në botë kështu më injoruese se kjo “pagë” e kësaj qeverie?! Sikur t’mos kisha punuar, shpërblimin, do ta merrja sikur të gjithë të tjerët që s’kanë punuar fare dhe i marrin 75 euro. Siç po vërehet, këta pushtetarët akoma nuk i kanë të qarta do “sende”. Dje na thonin të punojmë dhe mos ta ndërkrejmë procesin mësimor, sot s’duan të dëgjojnë fare për ne. Ata punëtorë që deshën “ndryshe”, e lanë punën dhe ikën në vende të huaja. Ata sot janë në gjendje më të mirë se ne. Ku janë paratë tona? Duhet dikush të interesohet për këto para. Ka njerëz që e ka lëshuar shtëpinë dy kateshe, e ai sot as nuk vlerësohet, por injorohet e fyhet. Kjo është fatkeqësi jona e keqe.
Shefik Haliti, profesor tha se, nuk ka punë dhe aktivitet patriotik, pa vepra të mëdha patriotike. Këtë punë atdhetare e kanë bërë vetëm punëtorët e arsimit tonë. “Një shtet vlen sa është arsimimi i popullatës së tij. Këtu ka defekte nga lart e poshtë. Duhet të ndryshojë gjendja e veteranëve të arsimit, sepse, kjo që po bëhet me ta, është fort zhgënjyese dhe injoruese”.
Në këtë Kuvend të tretë folën edhe disa nga pjesëmarrësit e këtij tubimi të veteranëve të arsimit.
Në fund të këtij takimi i treti me radhë, u zgjodh edhe kryesia e re prej: Salih Hasani, kryetar; Jetullah Bislimi, dhe Jakup Mehmeti anëtarë. Në këtë tubim të veteranëve u ndan edhe disa mirënjohje. /tefik selimi/rajonipress/


