Fundamenti

Kuota e korrupsionit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Enis Veliu – Realizimi i “projekteve” të ndryshme përmes procedurës së kuotimit të çmimeve thuajse është bërë trend në Prokurimin Publik në vend. Pa shpallur fare njoftim për kontratë në ueb-sajtin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) institucionet e ndryshme po zgjedhin operatorin e tyre të preferuar.

Madje, një veprim i tillë në disa raste bie ndesh edhe me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) në vend, por kjo çuditërisht nuk po i bën përshtypje askujt, madje as zyrtarëve që janë përgjegjës për monitorimin e shpenzimit të mjeteve publike në vend.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare, gjatë vitit 2014 në vendin tonë janë shpenzuar hiç më pak se 21 milionë e 888 mijë e 64 euro përmes procedurës së kuotimit të çmimeve, ku Autoriteti Kontraktues ka kërkuar ofertat e tri kompanive për të kryer një shërbim të caktuar. Por, si zakonisht ato dallojnë shumë pak me njëra-tjetrën dhe të gjitha janë në pragun maksimal të lejuar me ligj (deri në 10 mijë euro).

Ta zëmë, Komuna e Dragashit më 9 korrik të këtij viti përmes procedurës së kuotimit të çmimeve ka përzgjedhur kompaninë “Renelual Tahiri” si fituese e tenderit për “Meremetimin e rrugës Rapçë – Dragash” e ku vlera e tenderit është 9917 euro.

Po ashtu, pak ditë më vonë komuna e njëjtë përmes procedurës së njëjtë e ka përzgjedhur kompaninë “EKB” si fituese e tenderit “Ndërtimi i kanalizimit në Dragash” e ku vlera e kësaj është 9376 euro.

Si në këtë komunë, pothuajse në të gjitha komunat dhe institucionet tjera ka dhe shumë raste tjera kur Zyra e Prokurimit aplikon këtë metodë të prokurimit, edhe pse procesi i prokurimit ka mundur të jetë më transparent, duke u publikuar njoftimi për kontratë në ueb-faqe të KRPP-së.

Madje, nuk mungojnë rastet edhe kur kompania e preferuar e tyre kryen punët dhe më pas përmes procedurës së kuotimit të çmimeve Autoriteti Kontraktues asaj ia përgatit dokumentet për punët e kryera.

Mobi Casa

Shpenzimi i dhjetëra miliona eurove para publike në këtë formë lë shumë dyshime për keqpërdorime të shumta, pasi që e gjithë procedura e shpenzimit mbetet larg syve të publikut, sidomos kur kihet parasysh fakti se 11.3 milionë euro shpenzohen në këtë formë vetëm për furnizime të ndryshme, 6.5 milionë euro për shërbime, si dhe 3.9 milionë euro për punë.

Nëse institucioni në fillim të vitit bën një planifikim të saktë buxhetor, në të shumtën e rasteve mund ta shmangë këtë procedurë të prokurimit e ku çmimi nuk diktohet nga tregu (konkurrenca), por rregullohet nga Zyrat e Prokurimit, të cilat në mënyrë të sigurt ndajnë edhe “tallin” për vete.

Duke parë rritjen e vazhdueshme të mjeteve përmes kësaj forme të prokurimit është mesë e domosdoshme që institucionet e vendit sa më shpejt që të jetë e mundur duhet t’i obligojnë Autoritetet Kontraktuese që njoftimin për kontratë, edhe përmes kësaj procedure të prokurimit, ta publikojnë në ueb-faqen e KRPP-së apo edhe në ueb-faqen e Autoritetit Kontraktues, pasi që në këtë formë do të kishte më shumë konkurrencë, ku dhe do të mundë të kurseheshin paratë publike.

Po ashtu, edhe zvogëlimi i shumës nga 10.000 euro sa është tash në 5.000 euro në masë të madhe do të eliminonte keqpërdorimet e shumta, pasi që tenderi nuk do të ishte atraktiv për shumë kompani që deri më tash përmes kësaj forme në vazhdimësi kanë kryer punë dhe kanë marrë shuma të mëdha parash pa rënë fare në sy të opinionit.

Edhe më tutje Prokurimi Publik në vend mbetet njollë e zezë për të ardhmen e vendit tonë. Në të shumtën e rasteve pagesa e 20-përqindëshit, si kusht për ta marrë tenderin, thuajse është bërë normë, vetëm se nuk parashihet me ndonjë nen të Ligjit të Prokurimit Publik.

Të gjithë e dinë këtë, por askush nuk po e ndal. Në çdo raport ndërkombëtar të hartuar për vendin tonë, keqpërdorimi dhe korrupsioni në Prokurimin Publik zënë hapësirën më të madhe aty, por ata që duhet ta ndalin këtë po i “trashin” kuletat e tyre, duke marrë ryshfet në këmbim të kryerjes së punëve.

Përmes procedurës së kuotimit të çmimeve zyrtarët e korruptuar të Prokurimit që në start po e ndajnë për vete kuotën e korrupsionit. Ndërkaq, me mjetet që mbeten “realizohet” projekti i caktuar.