Fundamenti

Si t’i besosh Isës

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Kryeministri Isa Mustafa ka dhënë aq shumë prova se nuk mund t’iu besohet premtimeve të tij, sa që duhet marrë me rezervë çdo fjalë që nxjerr nga goja. Ai nuk e ka problem që sot thotë kështu, e nesër ndryshe. Ai nuk e ka problem as qeverisjen e keqe. Ne e kemi problem atë. Teksa e dëgjoje Isa Mustafën duke i numëruar sukseset e qeverisë për një vit, të dukej se po fliste jo kryeministri i një vendi që s’po sheh dot përparim, por një magjistar që kishte ardhur nga kushedi ku dhe po përpiqej t’i hipnotizonte qytetarët.

Natyrisht, ai e vlerësoi vitin e parë të qeverisjes së tij si të suksesshëm, madje tha se ishte

vit i ballafaqimeve me vendime të mëdha, por edhe i ndryshimeve të mëdha në Kosovë.

Në fakt, ballafaqimin më të madh gjatë kësaj kohe Mustafa e pati me opozitën, por për vendime të mëdha që i ndërmori pa e arritur paraprakisht një koncensus politik dhe shoqëror. E sa për ndryshime të mëdha, ato mund të kenë ndodhur personalisht për të, por jo edhe për qytetarët që ai i udhëheq.

Dy problemet më të mëdha, zhvillimin ekonomik dhe luftimin e korrupsionit, Mustafa tha se do t’i ketë prioritet vitin e ardhshëm. Para gazetarëve, ai premtoi edhe se do t’i përmbush premtimet e tij të fushatës për punësimin e 120 mijë personave gjatë mandatit të tij katërvjeçar. Kjo i bie se tashmë do të duhej të ishin punësuar 30 mijë.

Në këtë rast, nuk shtrohet pyetja nëse këto do të jenë prioritetet e qeverisjes së tij dhe nëse ai do t’i përmbush premtimet, por nëse ai do të vazhdojë të jetë në krye të qeverisë.

Sepse, gjatë një viti kryeministër ai nuk ka arritur të tregojë se vërtet di të menaxhojë vendin me përgjegjësi dhe të marrë vendime të drejta. Ai nuk ka treguar vendosmëri dhe më shumë se me realizimin e programit qeverisës, është marrë me menaxhimin e krizave të shkaktuara nga vetë ai, shkaku i veprimeve të pamatura. Ai në vazhdimësi nuk iu ka qëndruar besnik fjalëve të veta.

Ai nuk ka dhënë prova se mund t’i besohet.

* * *

Në fillim të vitit kur kërkohej dorëheqja e ministrit të atëhershëm, Aleksandar Jablanovic, Mustafa thoshte se ai nuk do të largohej. Pas protestave masive, ai u largua.

Kur më pas nisi muhabeti rreth arritjes së marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe, përpiqej të na mbushte mendjen se kishim të bënim me një OJQ. Doli që ky organizëm vetëm OJQ nuk mund të jetë.

Për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi thoshte se territori i Kosovës nuk ndryshon për asnjë centimetër. Janë shfaqur dyshime të forta se nuk është kështu.

UBT

Për më tepër, ai insistonte se dy marrëveshjet ishin punë e kryer dhe se nuk kishte çfarë të diskutonte për to me opozitën, por pas presionit publik u detyrua të bëjë thirrje për dialog.

Ndërkohë, tashmë kanë hyrë në antologjinë e mosmbajtjes së fjalës premtimet e Mustafës se nuk do të bëjë asnjëherë koalicion me Hashim Thaçin dhe PDK’në, se do të krijojë një qeveri më të vogël dhe më efektive se ato të Thaçit, se do t’i depolitizojë bordet e ndërmarjeve publike e shumë të tjera si këto.

Të mos i përmendim premtimet për liberalizimin e vizave. Në dhjetor të vitit të kaluar, Mustafa shprehej i bindur se kjo do të ndodhte në gjysmën e parë të këtij viti, por tash kur jemi në fund të vitit, është pikëpyetje e madhe nëse kosovarët do të mund të lëvizin të lirë madje edhe gjatë vitit 2016.

E në qershor të këtij viti, Mustafa kishte premtuar se ekzekutivi do të merrej seriozisht me shëndetësinë. Se çfarë ka ndërruar pozitivisht në këtë sektor, më së miri e dinë ata që e kanë fatin e keq të kërkojnë shërim në institucionet shëndetësore kosovare.

* * *

Gjatë një viti në qeverisje, Isa Mustafa nuk ka me çfarë të krenohet. Për fatin e tij të keq dhe për fatin e keq të qytetarëve, që kanë pritur se ai do të qeveris ndryshe nga paraardhësi i tij.

Gjatë një viti në qeverisje, Isa Mustafa ka kaluar nga kriza në krizë, e jo nga suksesi në sukses.

Gjatë një viti në qeverisje, Isa Mustafa nuk ka arritur ta bind askënd se ndryshimi vjen me të në krye të qeverisë, se ndryshimi ka ardhur me të, se ndryshimi është ai.

Gjatë një viti në qeverisje, Isa Mustafa ka harxhuar kohë dhe energji jo për të punuar, por për të kritikuar e fyer secilin që ka pasur guximin të mos pajtohet me të.

Andaj ai e përmbyll kështu këtë periudhë – pa lavd e pa nder. Me premtime të pambajtura, konfuz e shpresëmbytës.

Isa Mustafa mund të jetë çfarëdo tjetër, veçse jo ndryshimi për të mirë.