Ymeri: Pushtetit nuk i ka mbetur fytyrë, as legjitimitet
Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka shprehur bindjen se pozita, bashkë me marrëveshjet e tyre, e kanë humbur edhe argumentin.
“Egërsia e Mustafës, Veselit e Thaçit, flet zëshëm për të vërtetën që e kanë kuptuar edhe ata: Këtij pushteti nuk i ka mbetur as fytyrë e as legjitimitet. Bashkë me marrëveshjet e tyre, këta e kanë humbur edhe argumentin. Krejt çfarë u ka mbetur është të shfryhen duke akuzuar, kërcënuar e nxitur aparatin shtetëror për ‘qërim hesapesh’ me opozitën”, ka thënë Ymeri.
Ymeri ka thënë se “nga skuta që po e quajnë sallë ata edhe një herë i shpërfaqën tendencat e tyre autoritare, duke kërkuar prapë më shumë polici, polici edhe më të dëgjueshme, për t’i sulmuar kundërshtarët politik, e për t’i shpërblyer bashkëpunëtorët e tyre Vuçiqin e Daçiqin”.
“Ne do ta mbrojmë Kuvendin nga kjo klikë zaptuesish. Ne do ta mbrojmë Kuvendin e Republikës për të mos e lënë klikën e zaptuesve ta shndërrojnë atë në vegël të interesave të Serbisë. Ne do ta mbrojmë Republikën nga ‘Zajednica’. Këtë e kemi obligim dhe e kemi përgjegjësi legjitime”, ka thënë Ymeri.


