Gjykata zvicerane i jep të drejtë kosovarit të dënuar për vrasjen e gruas
Kosovari 47 vjeçar, në vitin 2009 kishte vrarë me pesë plumba bashkëshorten e tij 35 vjeçare në rrugë, në afërsi të stacionit të autobusit në Riniken. Në qershor të vitt 2013 Gjykata e Qarkut në Brugg e kishte dënuar kosovarin me 20 vjet burg për vrasje të rëndë. Krahas dënimit, atij i qe shqiptuar edhe një masë kujdestarie ambulante psikoterapeutike.
Si dorasi ashtu dhe prokuroria qenë ankuar para Gjykatës së Lartë të Aargaut: Prokuroria kishte kërkuar dënim të përjetshëm dhe masë kujdestarie ndërsa vrasësi kishte ushtruar ankesë se i ishte shkelur e drejta për t`u dëgjuar. Ankesa, në marsin e vitit të kaluar kishte marrë përgjigje negative për kosovarin. Po ashtu negative kishte qenë përgjigja edhe për prokurorinë, e cila për vrasësin kishte kërkuar dënim me burg të përjetshëm dhe masë të kujdestarisë.
Lidhur me këtë vendim, personi i dënuar për vrasje kishte vendosur të ankohej edhe në Gjykatën Federale, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në Zvicër.
Arsyetimi i tij ishte se nga ana e gjykatës atij i qe mohuar e drejta për t`u dëgjuar. Sipas tij, qëndrimin e prokurorisë për apelim të vendimit gjyqësor, ai e kishte marrë vetëm pasi ishte hedhur poshtë ankesa nga Gjykata e Lartë. Kjo nënkupton që Gjykata e Lartë atë e kishte trajtuar në mënyrë të pabarabartë në raport me prokurorinë, e cila e kishte marrë përgjigjen para marrjes së vendimit nga Gjykata e Lartë.
Gjykata Federale në vendimin e saj e mbështet pikëpamjen e avokatit të kosovarit, duke vendosur që ta anulojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe ta kthejë lëndën për trajtim të sërishëm në po atë gjykatë, e cila duhet të marrë një vendim tjetër.
Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata Federale i referohet veç tjerash Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, transmeton albinfo.ch. Sipas saj, të dyja palët e një procedure gjyqësore duhet të kenë qasje në të drejtën për t`u dëgjuar. Ky garancion përfshin po ashtu edhe të drejtën për të marrë në dijeni qëndrimet e ardhura nga gjykata dhe për t`u shprehur lidhur me to.


