Sinani: Nuk jemi perfekt, por shumicën e projekteve i kemi realizuar
Kamenicë – Ne po realizojmë projektet tona bashkërisht dhe ju falënderoj për mbështetjen, nuk themi se nuk bëjmë gabime, se jemi perfekt, mirëpo të gjitha vërejtjet, kritikat ose sugjerimet që i keni i bëni këtu, ku është vendi, e jo nëpër kafiteri apo diku tjetër tha Begzad Sinani.
Seancën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, z Bajram Dermaku, ndërsa të pranishëm ishin: kryetari i komunës, Begzad Sinani, nënkryetari z. Fatmir Matoshi, drejtorët e drejtorive komunale, ekipi komunal i OSBE-së, OJQ-të, e ndryshme të cilat veprojnë në komunën e Kamenicës dhe mediat lokale.
Po në këtë seancë betimin solemn e bëri kandidatja nga radhët e PDK-së, Donjeta Morina, e cila e zëvendëson ish delegaten e kësaj partie Ibadete Bunjaku Ahmetaj. Këshilltarët komunal i shqyrtuan edhe disa raporte të drejtorive komunale të cilat kishin mbetur pa u shqyrtuar në seancën e kaluar të Kuvendit.
Rreth raporteve të drejtorive pati mjaft diskutime. Këshilltarët i adresuan shumë pyetje për drejtorët komunal, për të cilat i’u përgjigjen drejtorët nga ana e tyre, duke përmendur sukseset, sfidat me të cilat ishin ballafaquar gjatë kësaj periudhe. Më së tepërmi pyetje të adresuara kishte për Drejtorin e Arsimit, z.Agim Shkodra.
Kuvendarët e aprovuan shkresën, dt.1611.2015, për harmonizimin e pagave, propozim rregulloren për vendosjen, ndërtimin dhe largimin e objekteve të përkohshme në pronën publike, një rregullore e tillë që i ka munguar për shumë kohë komunës sonë.
Kuvendarët nuk e aprovuan kërkesën e shoqatës së pedagogëve të kulturës fizike-dhe sporteve shkollore, pasi që ata nuk i’a kishin sjellë Drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, raportin financiar për shpenzimin e mjeteve financiare të dhëna nga komuna për këtë vit.
Prandaj, pasi të dorëzohet raporti, do të shqyrtohet edhe kërkesa e tyre. Në pikën e fundit të ndryshme, ishin pyetjet të cilat i’u drejtuan kryetarit të komunës nga ana e këshilltarëve, për të cilat kryetari Sinani u falënderua. ”Ne po realizojmë projektet tona bashkërisht dhe ju falënderoj për mbështetjen, nuk themi se nuk bëjmë gabime, se jemi perfekt, mirëpo të gjitha vërejtjet, kritikat ose sugjerimet që i keni i bëni këtu, ku është vendi, e jo nëpër kafiteri apo diku tjetër” tha Sinani./rajonipress/


