Festojnë profiterët, jo invalidët e luftës!
Nga Lavdim Hamidi – Flamuri kombëtar do të valojë gjithandej Kosovës më 28 Nëntor, por pikërisht ata që lanë gjymtyrët në beteja, duke luftuar për liri dhe për këtë flamur, do të qëndrojnë të ngujuar nëpër shtëpi.
Qindra invalidë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po e përjetojnë zhgënjimin e radhës me shtetin, për çlirimin e të cilit humbën pjesët e trupit.
Për ta Qeveria e vendit këtë vit nuk ndau buxhet për rregullimin e protezave të këmbëve dhe duarve, duke ua bërë edhe më të vështirë jetën, në vend se ta bënte të kundërtën, duke ua njohur kështu sadopak kontributin e luftës.
Çuditërisht mjete nuk ka kur është fjala për çështje të këtilla, sikur kjo për blerjen e protezave të invalidëve të luftës. E për shpenzime luksi, për blerje “Jeep”-ash, për akomodim në hotele superluksoze, teksa sorollaten poshtë e përpjetë vendeve të ndryshme të botës, kinse për çështje të Kosovës dhe të kombit, qeveritarëve asnjëherë nuk u ka munguar buxheti në këto gjashtëmbëdhjetë vjetët e pasluftës.
E keqja e dyfishtë e gjithë kësaj padrejtësie është se në Qeverinë e Kosovës janë rrahagjoksët dhe ata që i marrin medaljet për luftën e UÇK-së. Ata të cilët në emër të kësaj lufte u bënë multimilionerë, të cilët ndërtuan pallate dhe hotele anekënd vendit, madje edhe në bregdet, dhe të cilët fatkeqësisht po e harrojnë këtë kategori më meritore për çlirimin e Kosovës.
Ata që i lanë gjymtyrët në Drenicë, Dukagjin, Koshare,… janë shndërruar në raste të rënda sociale, përderisa kjo plejadë politikanësh, që kanë përfituar duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve, të martirëve e të invalidëve të luftës, kanë bërë pasuri sa sheikët që kanë burime të naftës.
Më 28 Nëntor do të festojnë pikërisht këta të fundit, të cilët më së paku e meritojnë festën. Nuk e kuptoj se si mund të festojnë këta politikanë me bagazh të luftës, kur pikërisht shumë prej tyre kanë kontribuar që ta çojnë drejt greminës shtetin që u krijua pas një sakrifice të madhe kombëtare.
Për shkak të keqpërdorimeve të mëdha që bën kjo plejadë e korruptuar politikanësh, 100 mijë kosovarë viteve të fundit emigruan ilegalisht për në Evropë dhe shumë të tjerë mezi po presin ta bëjnë të njëjtën gjë, posa të hapen dyert e Bashkimit Evropian.
Invalidët e luftës dhe luftëtarët e vërtetë të lirisë, të cilët nuk e kanë keqpërdorur luftën për përfitime personale, as nuk do të mundë të festojnë për këtë 28 Nëntor, siç po u kërkojnë bashkëluftëtarët e tyre në pushtet Hashim Thaçi e Kadri Veseli, e me gjasë as nuk do të protestojnë të shtunën pas Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, pasi që as këta të fundit kur kanë qenë në pushtet nuk është se janë kujdesur sa duhet për ta. Ata do të qëndrojnë në shtëpi, në shenjë revolte ndaj të gjithë bashkëluftëtarëve që shkelën mbi gjymtyrët e tyre për qëllime politike dhe financiare. Si dhe për shkak se e kanë të pamundur të dalin, meqë ish-bashkëluftëtarët në pushtet nuk denjuan të votojnë një buxhet për t’ua siguruar protezat, aq të nevojshme për ta.


