Arbnor Morina: Gjilani ka mundur më mirë, por nuk jemi keq
Gjilan – Skuadra e Gjilanit përgjatë 17-të javëve në Vala Superligën e Kosovës ka pasur baticat dhe zbaticat e saj, “bardh e kuqët” e Gjilanit nga 17 ndeshje të zhvilluara renditet në tabelën e klasifikimit në pozitën e 6-të me 25 pikë të tubuara aq sa ka edhe skuadra e Besës nga Peja. Gjilanasit kanë shënuar 7 fitore, 4 barazime ndërsa kanë pësuar në 6 takime.
Për trajnerin Arbnor Morina kjo statistikë ka mundur të ndryshon për të mirë sikur gjërat të shkonin më mirë, por duke parë disa anashkalime në klub edhe kështu gjendja nuk është e keqe. “Kjo pjesë e kampionatit për skuadrën tonë është e mirë, së pari kemi përmirësuar lojën tonë në mënyrë tekniko-taktike poashtu dhe në atë fizike e gjithë kjo ka qenë shumë me rëndësi për skuadrën tonë”, shprehet Morina.
Morina thekson se që nga fillimi skuadra e Gjilanit nuk ka qenë e kompletuar ashtu siç duhet.”Skuadra e Gjilanit është një skuadër serioze dhe është e pa tolerueshme të kompletohemi aq vonë dhe e gjithë kjo na ka sjell mjaft kokëçarje në klub”.
Morina aspak nuk është i kënaqur me ndarjen e drejtësisë, ku gjyqtarët e kanë dëmtuar skuadrën e tij. “Në disa ndeshje jemi dëmtuar në mënyrë drastike, të gjitha janë të dokumentuara në xhirime televizive numrin e madh të kartonave të cilët janë dënuar futbollistët tanë, por po ju garantojë se në disa stadiume tjera kosovare as që ishin përdorë këta kartona të verdhë e të kuq, dhe e gjithë kjo ka ndikuar të mos kemi edhe disa pikë më tepër”.
Trajneri Arbnor Morina me gjithë këto probleme që e kanë përcjell skuadrën e tij është i kënaqur. “Në të gjitha derbit kemi treguar lojë cilësore, kemi fituar edhe ndaj skuadrave që me dekada nuk është fitua, skuadra ka ngritje të lojës, por duhet ende shumë punë dhe mjete të punës të cilat po na mungojnë si dhe të rritet konkurrenca në skuadër”.
Sa i përket përforcimeve me futbollist cilësor në radhët e Gjilanit trajneri Morina thekson.
“Është koha të bisedojmë me kryesin se çka mund të bëjmë gjatë kësaj kohe, të rishikohet buxheti i klubit e pastaj vendosim, ne do të mundohemi të jemi në pjesën e epërme të tabelës dhe të luftojmë për Kupën e Kosovës, por të gjitha këto varen nga buxheti klubit”.
Trajneri Arbnor Morina ka edhe një kërkesë të veçantë për tifozët e Gjilanit “Skifterat”.
“I falënderojmë të gjithë që na kanë përkrahur gjatë tërë kësaj kohe pa ju edhe sukseset e klubit nuk janë interesante, ju bëj ftesë që në këto momente ti qëndroni besnik klubit tuaj, ne jemi për ju dhe vetëm me ju e ndajmë gëzimin e hidhërimin”./rajonipress/


