Përfundimi i urës në Ajnoc hap debat në rrjetet sociale, qytetarët kritikojnë vonesat dhe mungesën e investimeve në fshatra
Kamenicë – Njoftimi i kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, për përfundimin e ndërtimit të urës në fshatin Ajnoc, me investim prej 409 mijë e 628 eurosh nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ka nxitur reagime dhe komente të shumta në rrjetet sociale.
Përderisa Rahimaj e ka cilësuar këtë projekt si një investim konkret që përmirëson infrastrukturën rrugore, lehtëson qarkullimin dhe rrit sigurinë e qytetarëve, një pjesë e komentuesve kanë shfrytëzuar publikimin për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me qeverisjen komunale, kohëzgjatjen e projekteve dhe gjendjen infrastrukturore në lokalitete të ndryshme.
Reagimet e qytetarëve ndaj kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, lidhur me punimet në urën e fshatit Ajnovc dhe gjendjen në Kremenatë, janë shoqëruar me kritika të shumta dhe pakënaqësi për cilësinë e realizimit të projekteve infrastrukturore
Ndër reagimet që kanë tërhequr vëmendje është ai i Mirsad Rrahmanit, i cili ka ironizuar kohën e gjatë të realizimit të projektit, duke shkruar: “Hallall dy ura që gjashtë vjet, nesër krejt qeveria me dalë aty me pre shirit”. Ai ka shprehur gjithashtu kritika për mungesën e një plani dhe vizioni zhvillimor, duke iu referuar edhe gjendjes së projekteve në Gjilan.
Kritika ka pasur edhe për gjendjen e fshatrave të tjera të komunës. Rexhep Hajrizi, duke iu drejtuar kryetarit Rahimaj, ka ngritur çështjen e fshatit Kremenatë, duke vënë në pah, sipas tij, gjendjen e rëndë dhe mungesën e investimeve në këtë lokalitet. Ai e ka përshkruar situatën me tone ironike, duke e krahasuar fshatin me një kopsht zoologjik.
Ndërkaq, Toni Toni ka shprehur pakënaqësi për mungesën e investimeve në Rahovicë, duke përmendur edhe përvjetorin e 18 Prillit si një nga rastet kur, sipas tij, përfaqësuesit komunal e vizitojnë këtë lokalitet pa u përcjellë vizitat me investime konkrete.
Edhe Ismajl Bajrami ka reaguar me ironi ndaj vlerës së investimit dhe kohës së nevojshme për realizimin e tij, duke shkruar: “Investimi më i madh kapital në Kosovë, gjashtë vite kohë”.
Edhe, Halit Zhabolli ka kritikuar lartësinë e urës në raport me rrugën, duke pretenduar se ajo është rreth gjysmë metri më e ngritur se niveli i rrugës, ndërsa Adem Gjykekari ka shprehur pakënaqësi për kohën e gjatë të përfundimit të saj, duke rikujtuar se projekti kishte mbetur i papërfunduar për rreth gjashtë vjet.
Kritika edhe më të ashpra ka adresuar Rexhep Hajrizi, i cili ka vënë në pikëpyetje, sipas tij, mungesën e vëmendjes institucionale ndaj Kremenatës, duke e përshkruar gjendjen e fshatit me tone të rënda dhe duke ngritur shqetësime për trajtimin dhe izolimin e banorëve të tij. Këto reagime, të publikuara nga qytetarët, pasqyrojnë pakënaqësinë e tyre ndaj investimeve infrastrukturore dhe kërkesën që projektet publike të mos maten vetëm me përfundimin formal të punimeve, por mbi të gjitha me cilësinë, funksionalitetin dhe ndikimin që kanë në jetën e përditshme të banorëve.
Këto reagime pasqyrojnë pakënaqësi të shprehura nga disa qytetarë, të cilët kërkojnë që investimet publike të mos përqendrohen vetëm në projekte të veçanta, por të shtrihen në mënyrë më të barabartë edhe në fshatrat dhe lokalitetet e tjera të Kamenicës.
Në anën tjetër, kryetari Kadri Rahimaj, në njoftimin e tij, ka theksuar se komuna do të vazhdojë me investime konkrete që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e të gjitha pjesëve të saj.
Përtej përfundimit të një ure, debati i hapur në rrjetet sociale rikthen në vëmendje një çështje më të gjerë: pritjet e qytetarëve për investime të balancuara, zhvillim të barabartë të fshatrave dhe realizim në kohë të projekteve publike./rajonipress/

