Vuçiqi në Luginë, s’e gjen dot rehatinë!
Përkundër kujdesit të shtuar të forcave të sigurimit dhe mirësjelljes së liderëve institucionalë, në Luginë, kryeministri Vuçiq, nuk u nda i kënaqur me vizitën e tij të stërzgjatur, në jug të vendit.
Pastrimi i rrugëve në Bujanoc dhe rregullimi ekstra i vendeve të vizitës së kryeministrit, nuk mjaftonin, që shkëlqesia e tij prej shtetari, të ndjehet komod.
Parullat rrugëve të Preshevës: “Dua Abetaren time!”, “Duam librin shqip!”, si dhe forcat e shtuara të sigurimit, jashtë suazave të paqes, jepnin një pamje, jot ë këndshme, sikur kryeministri të shkonte në Drenicë, Srebrenicë, apo Vukovar, e jo në qytetet e Luginës, të cilat administrohen nga shteti i tij.
Jo, vetëm kaq!
Gjatë vizitës së kryeministrit Vuçiq, në godinën e re universitare, në Bujanoc, në prani në zyrtarëve të lartë të Qeverisë, Trupit Koordinues, ambasadave të ndryshme të akredituara në Beograd e institucioneve komunale, rehatin e tij, e prishi diskutimi i kryetarit të Këshillit Nacional Shqiptar, Jonuz Musliu, i cili mbante në duar parullat: “Duam librat shqip!”, “librat jo në doganë, por në shkollë!”.
Ky intervenim i papritur i z. Musliut, e qiti nga “kolloseku”, kryeministrin Vuçiq, i cili u fut në dialog të paplanifikuar, duke u shprehur: “Nuk është mirë për fëmijët që të mësojnë në librat ku shkruan se heroi i tyre kombëtar është Adem Jashari dhe ku është e shënuar Republika e Kosovës. Ajo, çfarë po kërkoni ju nuk është e drejtë dhe se tekstet nuk maten me kilogramë si derrat, apo kamionë, por nga cilësia dhe përmbajtja e tyre”.
Vizita e shumëpritur e kryeministrit Vuçiqi, u përcoll edhe me një të arrestuar nga emigrantët e Lindjes së Mesme, me arsyetimin se pasaporta e tij ishte identike me ata të terroristëve në Paris. Me këtë kryeministri Vuçiq, nga Lugina e taksirateve, dëshiron t’i tregoj botës, se nga Serbia, nuk mund të hyjnë e dalin terroristë, që terrorizojnë Evropën! Mjetet e shumta milionëshe, të cilat vijnë në adresë të emigrantëve, duhet të arsyetohen disi!
E Lugina e Preshevës, vazhdon t’i paguaj diskriminimet shtetërore, qoftë nga mjerimi politike e ekonomik, qoftë nga diskriminimi në fushën e integrimit, arsimimit, kulturës, shëndetësisë, masivizimit të vendbanimeve, qoftë edhe nga pabarazia gjuhësore dhe mohimi i simboleve kombëtare.
Nëntori i “tretë”, po afrohet e Dita e Flamurit Kombëtar në Luginë, ni Zot e di si do të festohet a protestohet? !/rajonipress/
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc


