ARKATANA

Krenari dhe demagogji ​

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – Sot mundeni edhe të mos e pranoni, por nesër do të krenoheni me Kombëtaren e Kosovës. Deshët a nuk deshët shteti i Kosovës është realitet, ashtu si dhe ekipi i saj kombëtar i futbollit. Quajeni si të doni, shajeni sa të doni, kjo është Kombëtarja jonë.

Asnjëherë nuk jam ndier më mirë se të premten në Stadiumin e Prishtinës, teksa mijëra vetë mbështetnin me zemër djemtë e Kombëtares së Kosovës në futboll. Teksa stadiumi plot e duartrokiste lojën e shkëlqyeshme të djemve të Kombëtares së Kosovës, përballë atyre të Kombëtares së Shqipërisë.

Po, loja po zhvillohej ndërmjet dy ekipeve kombëtare të futbollit, ekipeve të dy shteteve, pavarësisht se romantikë të vonuar vazhdojnë të këmbëngulin e Kosova nuk paska ekip kombëtar por përfaqësues dhe se kombëtare na qenka vetëm një.

Sa hipokritë duken të gjithë ata që përpiqen ta mohojnë Kombëtaren si realitet, shtetin e Kosovës si realitet. Shtetin për të cilin janë flijuar gjenerata të tëra. Shtetin i cili i ka simbolet e veta si çdo shtet tjetër në botë, e ka flamurin, stemën e himnin e vet. Është krejt çështje tjetër nëse këto simbole na pëlqejnë ose jo, është krejt çështje tjetër nëse këto simbole do t’i ndërrojmë pas një kohe. Por, derisa ato ekzistojnë si të tilla dhe na prezantojnë kudo, duhet respektuar. Qoftë edhe në ndeshje futbolli me Shqipërinë.

Organiztorëve të ndeshjes duhet t’iu vijë turp që nuk e intonuan edhe Himnin e Kosovës para fillimit të ndeshjes. Sepse po luanin dy shtete, po luanin Kosova dhe Shqipëria. Me këtë veprim, ata treguan se sa janë mosrespektues ndaj shtetit në të cilin jetojnë, mosrespektues ndaj atyre mijëra vetave që kishin blerë bileta dhe kishin mbushur shkallët e stadiumit, mosrespektues dhe mohues ndaj vetë qenies së tyre.

Të gjithë ata që të premten u përpoqën në çfarëdo forme ta mohojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës, qoftë edhe duke mos lejuar t’ia intonojnë himnin, të gjithë ata që të premten u përpoqën ta mohojnë ekzistencën e Kommbëtares së Kosovës do të ndihen keq një ditë.

Ata treguan se veç formalisht e përmendin shtetin, se gojën e kanë plot republikë, por shfaqen jolojalë ndaj saj.

Me veprimet e tyre ata përpiqen të na thonë se nuk kemi shtet, se nuk kemi shtet përnjëmend, se ky shteti ynë është kinseshtet, është shtet kalimtar. Se shtet i vërtetë është Shqipëria, e jo Kosova. Se ekip kombëtar i futbollit është ai i Shqipërisë, jo ky i Kosovës, se himn i vërtetë është ai i Shqipërisë, jo i Kosovës.

Por, duke u sjellë me këtë logjikë ata gënjejnë veten, sepse shteti i Kosovës nuk është dëshirë, por realitet dhe nuk mund ta zhbëjë askush, madje as ëndrrat romantike të dikujt. Ata gënjejnë veten sepse simbolet e Kosovës nuk janë dëshirë, por realitet dhe respektimi i tyre është obligim qytetar, ligjor e kushtetues.

* * *

Eco Higjiena

Unë mbase mund ta kuptoj qasjen agresive ndaj Kombëtares së Kosovës po të vijë nga dikush që vërtet nuk kupton, por assesi edhe kur dëgjoj që kundër saj të flitet madje edhe nga njerëz që na udhëheqin.

Njerëz që, thjeshtë, nuk i besojnë vetes, as postit që mbajnë, as shtetit në të cilin jetojnë. E këta njerëz janë të njëjtët që kritikojnë UEFA-n e FIFA-n që s’po na pranon. Të mohosh ekzistimin e Kombëtares së Kosovës në njërën anë, e në anën tjetër të derdhësh lot krokodili pse s’po na pranojnë organizatat ndërkombëtare, kjo është poshtërsi. Sepse në UEFA dhe FIFA pranohet Federata e Futbollit e Kosovës dhe, rrjedhimisht, Kombëtarja e Kosovës. Andaj, sa më shpejt që lihen anash demagogjitë e pranohet realiteti, aq më mirë.

Unë mund të kuptoj ndonjë grup tifozësh të frustruar që për arsye të ndryshme shfaqen kundër Kombëtares së Kosovës, kundër flamurit të Kosovës, kundër gjithçkaje kosovare. Ama kurrsesi nuk mund të kuptoj udhëheqës institucionesh të Republikës së Kosovës të cilët lejojnë që sheshet e kryeqyteti të stolisen vetëm me flamuj kuq e zi dhe injorojnë flamurin shtetëror kosovar. Dhe pastaj, tek pas reagimeve të qytetarëve, i vendosin disa sa për të thënë.

A e dinë këta njerëz se me këso veprimesh fyejnë qytetarët e Prishtinës dhe të krejt Kosovës. Prishtina është kryeqytet i shtetit të Kosovës dhe ky shtet i ka simbolet e veta që duhet respektuar. Institucionalisht. Privatisht ata mund ta duan secilin flamur që dëshirojnë, por unë dhe qytetarët tjerë të këtij vendi duam që në raste të tilla ta shohim së pari flamurin tonë shtetëror, pastaj të tjerët. Andaj, kur zyrtarët shtetërorë shfaqen mohues ndaj këtij flamuri, natyrisht se pasojnë edhe skena të përdhosjes së tij nga qytetarë të pandërgjegjshëm.

Duke vendosur flamuj kuq e zi, këta njerëz nuk e bëjnë qeverisjen më të mirë, as kryeqytetin më të mirë. Ato arrihen me punë e përkushtim, e jo me ëndrra kuq e zi.

* * *

Të premten, përkrahja për djemtë e Kombëtares së Kosovës ishte maksimale dhe e sinqertë. Askujt nuk duhet t’i vijë turp që t’i përkrah ata. Sepse janë djemtë tonë dhe duhet të na bëjnë krenarë sa herë që luajnë.

Nëse e premtja ishte kështu, vetëm mund ta paramendojmë se çfarë përkrahje do të kenë kur Kosova të pranohet në UEFA dhe FIFA dhe ata të garojnë në ndeshje ndërkombëtare.

Demagogët romantikë ende mund të këmbëngulin në qëndrimet e veta dhe mund ta vazhdojnë agresivitetin ndaj Kombëtares së Kosovës dhe mohimin e saj. Por e vërteta është se elefanti gjendet në dhomë dhe ata e kanë të kotë të shtiren se nuk po e shohin. Quajeni si të doni, shajeni sa të doni, kjo është Kombëtarja jonë.