Iku dhe një vit pa viza
Premtimet e Qeverisë për qytetarët e Kosovës rreth liberalizimit të vizave për këtë vit, po mbeten vetëm një tregim fantastik,shkruan gazeta Kosova Sot. Derisa qeveritarët dhe opozita përplasen mes vete se kush e bart përgjegjësinë më të madhe për këtë dështim të pakufishëm, analistët politikë dhe shoqëria civile konsiderojnë se ky proces po futet në një situatë të mjegullt dhe shumë të paqartë.
Populli i Kosovës po mbetet përfundimisht pa liberalizim të vizave, si pasojë e klasës së papërgjegjshme politike, qoftë në pozitë, ashtu edhe në opozitë, që nuk po arrijnë të gjejnë konsensus dialogu të brendshëm për çështjet serioze të interesit nacional. Derisa pozita është e uritur për të zhvatur popullin, dhe bart flamurin e përgjegjësisë kryesore, edhe opozita e uritur për pushtet ka hisen e vet të përgjegjësisë që nuk është treguar në nivel të interesit nacional, dhe si pasojë qytetarët po mbesin pa liberalizim të vizave.
Analistët politikë dhe shoqëria civile e shohin këtë sjellje si tepër dëmtuese për aspiratat e Kosovës. “Është fat i keq që kjo klasë politike, pozitë apo opozitë, po tregohen mjaft të papërgjegjshme dhe nuk po arrijnë ta ndërtojnë një platformë të përbashkët nacionale të veprimit, e cila do të kishte për qëllim dialogun e brendshëm politik pa kushte, për avancimin e çështjeve që janë tema serioze në interesin nacional të shtetit”, tha analisti Ali Hertica.
Me analfabetë nuk ecet përpara
Sipas Herticës, çështja e Kosovës është bërë një ekuacion me shumë të panjohura që askush nuk po mundet ta japë një parashikim serioz, të qëlluar, se kah në të vërtetë po shkon ky shtet i ri që akoma nuk i ka shëruar plagët e një lufte të pistë. “Me të vërtetë është zhgënjyese dhe e habitshme se si e gjithë klasa politike qoftë në mazhorancë, qoftë në opozitë nuk po mendojnë fare me mendjen esëll për elektoratin që i ka dhënë besimin për ta dërguar vendin në një proces të zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe integrimit në BE. Tani, edhe liberalizimi i vizave po mbetet një proces i bllokuar nga papërgjegjësia e të dyja taboreve politike dhe është e pritshme që këtë klasë politike së afërmi ta dënojë edhe qytetari, por edhe shkrimi i vetë historisë së këtij shteti”, ka potencuar ai. “Kur e them këtë bazohem gjithsesi në faktin se janë të gjitha strukturat qeveritare, institucionale, që po dështojnë në shtetndërtim, në rrugën drejtë BE-së, sepse janë të mbushura me njerëz analfabetë, të zhytur në krim dhe korrupsion, e të vetmin qëllim kanë ta zhvatin qytetarin dhe të pasurohen për veten e tyre, pa e kthyer kokën nga qytetari, pa u brengosur që për fajin e tyre nuk po merr fund as pritja e gjatë për liberalizimin e vizave”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”. Edhe njohësi i sundimit të ligjit, Blerim Burjani thotë se përgjegjësi politike në këtë proces është pashmangshëm rënduese për të dyja palët. “Është e vërtetë që Qeveria ka e barrën kryesore në këtë proces, që nuk u tregua serioze në përmbushjen e të gjitha kritereve të kërkuara, e që ndër më të rëndësishmet janë sundimi i rendit e ligjit, rezultatet e prekshme dhe të besueshme për BE-në në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga ana tjetër, sa i takon një projekti nacional për dialog të brendshëm politik mes pozitës dhe opozitës, që procesi të mos ngecet peng i inateve politike, përgjegjësia nuk mund t’i vishet vetëm pozitës, por ajo përgjegjësi është e nivelit shumë të lartë edhe për sjelljet dhe veprimet që vijnë nga opozita”, theksoi më tej ai.


