Bujanoc: Vezët, së shpejti edhe në Luginë!
Çarshia e Bujanocit, tashmë, ashiqare flet se sindromi i vezëve politike kosovare, së shpejti, mund të bartet edhe në Luginë të Preshevës.
Amaterët e politikës lokaliste, nuk e përjashtojnë mundësinë e fluturimit të vezëve edhe mbi kokat e liderëve të kësaj Lugine, të cilët nuk mbushen mend me veprimet çmendurake në dëm të qytetarëve, me veprimet e tyre të njëanshme, shantazhuese, të papërgjegjshme, nepotiste, korruptive etj.
Të parat vezë, që mund të fluturonin, janë ato të lustruarat si në festën e Pashkëve, pikërisht, në Kuvendin komunal të Bujanocit. Në këtë shtëpi, ka muaj e vite, që zihen vezët nga brenda, duke pritur momentin e veprimit. Seanca e fundit e parlamentit lokal, ka lënë hapur veç zhurmërisë në Foltore dhe ndonjë veprim tjetër të opozitës të ngjashëm me ato që po ndodhin në Kosovë.
Injorimi i kërkesave të opozitës, mbivotimi, zhargoni i fjalëve të rrugëve, mos-transparenca, dublimi i funksioneve, mos-kalimi i “zajednicës”, bllokimi i librave shqip në doganë, pasivizimi i vendbanimeve, largimi nga puna i kundërshtarëve politikë dhe inskenimi i proceseve gjyqësore, punësimi mbi vija politike dhe familjare, ndarja e tenderëve me përqindje etj, janë disa nga defektet e politikës luginase, e cila mund të vë në lëvizje vezët, të cilat assesi nuk janë të dëshirueshme në këtë rajon, të mbarsur edhe ashtu me probleme të shumta të natyrës politike dhe ekonomike.
Atëherë, çfarë presin vezët?!
Vezët, nuk presin as të zihen mirë e as të lustrohen si në festa kërshëndellash, por kërkojnë momentin e përshtatshëm të kapjes së liderëve me pelë për dore, ndonëse ata janë zënë e kapur shpeshherë, jo vetëm me pelë, por edhe me presh në dorë. Kujtoni Marrëveshjet dhe Platformat politike, Lapidarin, Zajednicën etj.
Për ata, që mendojnë ndryshe nga politika ditore e Bujanocit, vezët e pulës janë pak për kokat e liderëve të trashë institucionalë, duke preferuar tjera vezë, si ato të qurës, krokodilit, dinosaurit etj.
Pavarësisht mendimeve të amaterëve të politikës lokaliste të Luginës, për modelin e vezëve, si formë e zgjidhjes së problemeve, Shoqëria Civile, vlerëson se nuk janë shterur metodat jo të dhunshme në gjetjen e rrugëve për ta nxjerrë vendin nga qorrsokaku politik dhe kolapsi ekonomik.
E vezët e “arta” janë “votat” elektorale, çelësi i ndryshimeve. Vetëm ato rrëzojnë nga fronet kokat pushtetare legjendare, të cilat nga pesha e viteve në qeverisje, janë kalitur aq shumë, sa mund të thyesh lirisht në to, jo vetëm vezë, por edhe arra!/rajonipress/
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc


