Ushqimi sipas grupeve të gjakut
Të ushqyerit sipas grupeve të gjakut bazohet në parimin që grupi i gjakut – O, A, B ose AB përcakton aftësinë e organizmit për të absorbuar ushqyesit e caktuar dhe në këtë mënyrë lufton me sëmundjet, stresin, por edhe trashet, respektivisht dobësohet.
Autori i kësaj ideje është Peter D’Adamo, ndërsa pikënisja është në evolucionin e njeriut dhe ndryshimin e shprehive ushqyese gjatë tij. Dr. Peter D’Adamo është një nga mjekët më të njohur të shërimit me qasje natyrale në SHBA. Ai dhe kolegët e tij në më shumë se mijëra raste kanë testuar se sa mirë apo keq pacientët tolerojnë disa ushqime të caktuara – dhe këtë gjë e kanë lidhur me grupin e tyre të gjakut.
Grupi 0
Grupi i gjakut i njerëzve të parë që kanë origjinën nga atdheu ynë i lashtë, Afrika. Është i vjetër më shumë se 50.000 vjet, që nga shfaqja e neandertalëve. Pasi që kanë qenë mbledhës, supozohet që janë ushqyer me bimë të egra, larva dhe mbetjet e ngordhësirave të paziera.
Më vonë, duke zhvilluar shkathtësinë e gjuetisë (shfaqja e kromanjonëve), kryesisht janë ushqyer me mishin e egërsirave. Me shfarosjen e egërsirave të mëdha në Afrikë kanë filluar migrimet e para në Evropë dhe Azi. Meqenëse 0 është grupi i parë i gjakut, nuk ka pasur nevojë për zhvillimin e antigjeneve për grupet tjera të gjakut, prandaj grupi 0 i gjakut nuk i posedon.
Personat me grupin 0 të gjakut mund t’u japin gjak të gjithë personave tjerë me çfarëdo grupi të gjakut, por mund të marrë gjak vetëm nga grupi 0 pasi që grupet tjera të gjakut me antigjenet e tyre do të veprojnë si materie të huaja. Në aspektin kimik, grupi 0 i gjakut është më i thjeshti dhe përmban vetëm sheqerin fukozë, i cili është bazë për të gjithë grupet tjera ta gjakut, transmeton Koha.net. Ai sot është grupi më i përhapur i gjakut dhe e gjejmë nëpër gjithë botën. Ushqimi i personave me grupin 0 të gjakut duhet të përbëhet nga ushqimet me origjinë shtazore dhe perimet.
Ushqimet tek të cilat duhet të kushtojmë vëmendje përfshijnë mishin e lopës, qengjit, gjeldetit, pulës – dhe peshkut. Po ashtu të lejueshme janë të gjithë llojet e pemëve, bimët bishtajore dhe lakrat. Këta persona duhen të shmangnin qumështin dhe produktet e qumështit, bukën dhe pastat nga gruri, lakrën, lakrën e Brukselit dhe misrin.
Grupi A
Migrimi i njerëzve në kërkim të burimeve të ushqimit, mjedisi i ri jetësor ka ndikuar në përshtatjen (ndryshimin) e sistemit tretës dhe të imunitetit. Me shfarosjen e egërsirave të mëdha është shfaqur nevoja për rritjen e ushqimit. Prandaj shfaqja e grupit A të gjakut është e lidhur me bujqësinë, revolucionin neolitik, kur ka filluar gjithnjë e më shumë të hahet ushqimi me prejardhje bimore (drithërat).
Sot përqindja më e madhe e njerëzve me grupin A të gjakut është rreth Mesdheut, detit Adriatik dhe Egje, në Spanjë, Turqi dhe Ballkan. Grupi A i gjakut bashkë me fukozën përmban edhe sheqerin N-acetil-galaktozaminën, i cili paraqet antigjenin e tij, prandaj mund të marrë gjak nga grupi 0 dhe A. Për personat e grupit të gjakut A mund të thuhet që janë vegjetarianë të vërtetë, të cilëve iu bën dëm konsumimi i mishit dhe produkteve të qumështit.
Personat me grupin A të gjakut do të duhej të konsumojnë sasi më të mëdha të ushqimeve me prejardhje bimore: Perime, sojë, fasule, drithëra të plota. Frutat e malit dhe kumbullat po ashtu rekomandohen, ndërsa lejohet edhe konsumimi i përkohshëm i mishit të pulës dhe produkteve të fermentuara të qumështit. Nga ushqimi duhet të eliminohen të gjitha produktet e mishit, produktet qumështore me yndyrë të plotë, specat, domatet, frutat tropikale dhe citruset.
Grupi B
Është zhvilluar rreth 10 deri 35 mijë vjet para erës së re në zonat e Himalajeve. Zonat e ftohta kanë shkaktuar mutacion dhe krijimin e antigjenëve të cilët kanë ofruar rezistencë të re. Antigjeni në fukozën e grupit B të gjakut është D-galaktozamina.
Njerëzit e atëhershëm ishin barinj nomadë që janë marrë me rritjen e bagëtive. Megjithatë, me shpërnguljen e tyre kanë zhvilluar bujqësinë dhe sisteme jashtëzakonisht të avancuara të ujitjes dhe punimit të tokës. Ushqimi është bazuar në mish, produktet e qumështit dhe drithëra, kështu që për personat e grupit B të gjakut mund të thuhet që janë të gjithëngrënës. Popujt e Lindjes së largët (Japoni, Mongoli, Kinë dhe një pjesë e Indisë) paraqesin pjesën më të madhe të grupit B.
Me shpërnguljen e nomadëve aziatikë në perëndim grupi B i gjakut ka arritur në përqindje të madhe edhe tek gjermanët dhe austriakët. Personave me grupin B të gjakut u lejohet diversiteti më i madh në ushqime. Janë të lirë të konsumojnë peshkun, mishin e zogjve, mishin e qengjit, lopës, produktet qumështore, perimet e gjelbra, drithërat dhe të gjitha llojet e perimeve, ndërsa tërësisht duhen të përjashtojnë guaskat, proshutën dhe mishin e pulës. Duhen të kufizojnë konsumimin e mishit të lopës, thekrës, grurit, domateve dhe misrit.
Grupi AB
Është grupi më i ri i gjakut, i krijuar pas fushatave barbare para 1000 vitesh, me përzierjen e popullatës kaukaziane me grupin A të gjakut dhe popullatës aziatike me grupin B të gjakut.
Sot gjendet në gjithsej 5 për qind të popullatës. Përveç fukozes si bazë, grupi AB i gjakut posedon antigjenin N-acetil-galaktozaminën nga grupi i gjakut A dhe D-galaktozaminën nga grupi B i gjakut. Kështu ka trashëguar rezistencën e të dy grupeve të gjakut, dhe ka mundësi më të madhe për të krijuar antitrupa specifike kundër infeksioneve. Nuk krijon antitrupa kundër grupeve tjera të gjakut, por mund të marrë gjak nga të gjitha grupet. Personat e këtij grupi të gjakut janë më pak të ekspozuar ndaj alergjive dhe sëmundjeve autoimune (artriti, infalamcionet etj.), megjithatë më shpesh vuajnë nga disa lloje të kancerit.
Ushqimi për personat e këtij grupi të gjaku është në mes grupit A dhe B, hanë gjithçka, ushqimin bimor dhe të mishit, ndërsa produktet e qumështit në sasi më të vogël se sa ata me grupin B të gjakut. Personat me grupin AB të gjakut mund të hanë mish të qengjit, gjeldetit, produktet e qumështit, vezë, oriz, tofu, qershi, kumbulla, ndërsa duhen të shmangin mishin e tymosur dhe të kufizojnë konsumimin e mishit të lopës, grurit, misrit, frutave tropikale, portokajve dhe bananeve.
http://koha.net/?id=13&l=82664


