Sinanit i kërkohet më shumë transparencë rreth shpenzimeve të karburanteve
Kamenicë – Anëtari i KPF-së Besnik Rrudhani, kërkoi që të specifikohen se cilat automjete zyrtare po harxhojnë më së shumti karburante.
Mbledhjen e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Bajram Dërmaku, prezent ishin edhe kryetari i komunës z. Begzad Sinani dhe ekipi komunal i OSBE-së. Të gjitha pikat e parapara për këtë mbledhje u shqyrtuan nga anëtarët e KPF-së, dhe i’u përcollën Kuvendit për procedim të mëtutjeshëm.
Në veçanti diskutime u zhvilluan për raportin e Drejtorisë Buxhetit dhe Financave, lidhur me shpenzimet për karburante. Zvogëlimet e shpenzimeve të karburanteve janë të dukshme, krahasuar me vitet paraprake dhe me tendencë të zvogëlimit të mëtejshëm, duke u bazuar me masat e ndërmarra për një kontroll më të madhe lidhur me harxhimet e karburanteve.
Anëtari i KPF-së Besnik Rrudhani, kërkoi që të specifikohen se cilat automjete zyrtare po harxhojnë më së shumti karburante. Shpenzimet për karburante më së shumti bëhen nga makina ngarkuese e komunës, gjatë hapjeve të rrugëve të mbyllura e sidomos në malësi nga shembjet e dheut pas shirave të pranverës, si dhe shfrytëzimi i kombi-busit nga shoqatat dhe ekipet sportive.
Kryetari i komunës ishte në dakord që edhe këto shënime mund bëhen transparente. Besa Krasniqi kishte vërejtje për Drejtorinë e Arsimit, si dhe për gjendjen e objektit të Shtëpisë Kulturës “Isa Kastrati”./rajonipress/


