Luljetë Sylejmani Pira akuzon udhëheqësit e arsimit në Viti
Gjilan – Luljetë Sylejmani Pira thotë se i është bërë e padrejtë nga ana e udhëheqësve të arsimit në Viti. Sipas saj në Viti në fushën e arsimit njerëzit po punësohen në baza partiake. Ajo thotë se do të ankohet në të gjitha instancat e mundshme.
Luljetë Sylejmani Pira pretendon se drejtoria e arsimit në Viti që udhëhiqet nga Qahil Sinani i ka bërë të padrejtë asaj me rastin e konkurrimit në konkursin në shkollën fillore “Bafti Haxhiu” në Viti.
Ajo thotë për rajonipress se drejtori i arsimit Qahil Sinani po punëson arsimtar në baza partiake dhe nuk po i merr kuadrot e duhura. “Në Viti ka punësime të mëdha partiake. Aty nuk respektohet fare konkursi. E rëndësishme është që të jesh e afërt me LDK ose të kesh lidhje të forta me njerëzit e pushtetit” shprehet ajo.
Pira tha se ka konkurruar në konkursin për lëndën e muzikës, por drejtoria e arsimit e mori pa konkurs një kandidat për lëndën e gjeografisë. Ajo thotë se do të shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore për të fituar këtë betejë. “Unë nuk do të dorëzohem, por do të kërkojë drejtësi” shprehet ajo.
Kurse Enver Kadriu inspektor i arsimit në MASHT i ka kthyer një përgjigje Luljeta Sylejmanit Pirajt. Kadriu e ka refuzuar ankesën e Luljetes me arsyetimin se ajo ka të kryer fakultetin e edukimit dhe nuk është e kualifikuar për lëndën e muzikës.
Kadriu ndërkaq ka thënë se për rastin që Luljeta e përmend të pranimit të një mësuesi në lëndën e gjeografisë pa pasur konkurs do ta hetojë MASHT./rajonipress/


