PD: Mungesa e transportit për nxënësit e fshatit Debëlldeh të Vitisë, vështirëson vijueshmërinë e mësimit
Viti – Partia e Drejtësisë dega në Viti, reagon ndaj Kuvendit Komunal, lidhur me mungesën e transportit të nxënësve të shkollave të mesme të brezit kufitar, respektivisht fshatit Debëlldeh. Nxënësit nga ky fshat detyrohen të udhëtojnë rreth 26 km çdo ditë për të ndjekur mësimet në Viti, ku rruga deri ne qytetin e Vitisë në përgjithësi bëhet me autostop nga ana e nxënësve thotë në reagimin e tij Edon Selmani nga Partia e Drejtësisë.
PD në Viti konsideron se mungesa e transportit për nxënësit e shkollave të mesme, i pamundëson vijueshmërinë e mësimit një pjese të madhe të nxënësve, ku pjesa dërmuese rrezikojnë lënien e mësimit si pasoj e mungesës së transportit nga ana e Komunës, edhe ashtu një zonë e lodhur ekonomikisht.
Partia e Drejtësisë konsideron se shumica e fshatrave të brezit kufitar janë harruar nga organet kompetente komunale të Vitisë tash e disa vite, duke u dhënë përparësi militantizmit politik, e kësisoj duke i diskriminuar qytetarët në baza partiake e grupe të interesit.
PD kërkon nga kryetari i Komunës së Vitisë, por edhe nga vet deputetët komunalë që të janë zëri i qytetarit të komunës së Vitisë, e assesi të qëndrojnë të heshtur përball interesave klanore e grupor të politikës, ndërsa qytetari të mbetet i diskriminuar edhe në këtë kohë thuhet në reagim./rajonipress/


