KKVITI

Dalldisja që na verbon

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Dalldisja në emër të patriotizmit nuk çon askund. As ajo në emër të demokracisë. Racionaliteti, e jo goditja e murit me kokë do të duhej të ishte parimi udhëheqës. Ndryshe, disfatat si në politikë, ashtu edhe në sport do t’i kemi të njëpasnjëshme dhe nuk do të na paguhet që të kënaqemi me dalldinë tonë, me verbërinë tonë – në budallakinë tonë.

Deputetët Pal Lekaj e Faton Topalli me skalpelë në duar u dalldisën qysh mëngjesin e të enjtes, teksa hoqën mbulojat e pikturave në Kuvendin e Kosovës. Pak më vonë, dalldisë iu bashkuan të gjithë deputetët opozitarë të pranishëm në Kuvend, të cilët me filikaça në gojë përpiqeshin të pengonin seancën parlamentare. Dalldia vazhdoi me hedhje uji drejt deputetëve të koalicionit qeveritar, fyerje, sharje, kacafytje dhe kulmoi me zbrazjen e gazit lotsjellës. Gjithçka në emër të demokracisë! Kuvendi u shndërrua në tymnajë, disa deputetë u “verbuan” nga gazi dhe disa ligje u miratuan në gjendje të jashtëzakonshme.

Por, ngjarjet në Kuvend ishin veç një “ndërhyrje” e vogël në dalldinë që po mbretëronte gjithandej ndër shqiptarë, në prag të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi. Dhjetëra mijëra vetë u dyndën drejt Elbasanit, me e pa bileta, për të ndjekur ndeshjen. Eufori, piskamë, hallakamë që përfundoi me zhgënjim. Dikush tha edhe me turp.

Të krijohej përshtypja se ajo ndeshje futbolli ishte “për jetë a vdekje”, ishte vendimtare për jetët tona, për fatin tonë, për të ardhmen tonë. Pak racionalë në vlerësime, e shumë hipokritë në veprime. Gjithçka sa i përket rezultatit dhe pritjeve mbaroi dëshpërimisht keq. Euforia mundi arsyen, e Serbia Shqipërinë.

* * *

Ishte veç një ndeshje futbolli dhe nuk kishte nevojë që lojtarët të viheshin në asi presioni. Nuk ishte nevoja të festohej para kohe, thua se çdo gjë ishte e kryer dhe pritej të ndizeshin veç fishekzjarret. Dështimi kolosal eklipsoi gjithçka. Siç ndodh rëndom në të tilla raste, futbollistët shqiptarë u vunë menjëherë në shënjestër të kritikave e sharjeve, ndërkohë që pakkush gjeti një fije vetëkritike dhe faji në gjithë atë ëndërr të keqe.

Siç nuk gjeti një grimë vetëkritike asnjëri nga deputetët e opozitës për gjithë atë shfaqje që ndërmori në Kuvend – përkundrazi, paralajmëruan të tjera masa.

Ajo që të paktën do të duhej ta bënte një pjesë e opozitës është që të ndiejë përgjegjësi për gjendjen, kundër të cilës po protesojnë. Ta pranojnë se njëherë e një kohë kanë qenë thellë të përfshirë në procesin e dialogut me Serbinë dhe e kanë votuar atë. Të mos dalldisen dhe të mos provojnë të duken ma katolikë se Papa. Sepse njerëzit mbajnë mend dhe qeshen, kënaqen duke qeshur me ta.

Siç po qeshen, prej zorit, me gjithë atë që po ndodh së fundi në seancat e Kuvendit, ku opozitarët nuk po i lënë gjë imagjinatës me veprimet e veta.

UBT

Nëse partitë opozitare e kanë për qëllim të fundit shpëndarjen e legjislativit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje, atëherë kjo nuk është punë fort e mençur, sidomos jo në këtë kohë dhe në rrethanat ekzistuese. Se çfarë nënkuptojnë ata me masa të tjera që kanë paralajmëruar se do t’i ndërmarrin, në përpjekje që kryeministri Isa Mustafa të detyrohet të tërhiqet nga marrëveshjet e Brukselit, ende nuk dihet. Ajo që dihet me siguri është që Mustafa nuk do të tërhiqet dhe dalldisja e opozitarëve mund të vazhdojë.

* * *

Të gjithë ata që u dalldisën për ndeshjen e futbollit dhe u qetësuan dhimbshëm pas debaklit, i janë kthyer realitetit të hidhur. I janë kthyer problemeve të përditshme, që nuk i zgjidhë euforia.

Ne mbetemi prapë të njëjtit – të varfër, të papunë, të pashpresë, të izoluar dhe me një klasë politike të korruptuar dhe të papërgjegjshme. Me një klasë politike që me veprimet e veta na bën të ndihemi të turpëruar dhe fajtorë pse i kemi votuar.

Aty, në Kuvend dhe pak më tej, në Qeveri janë fajtorët, përgjegjësit që na kanë sjellë në këtë situatë të mjerë. Aty janë ata që më tepër se për të ardhmen e shtetit, kujdesen për të ardhmen e vetes. Për privilegjet e veta. Aty janë ata që na fyejnë inteligjencën me ato që thonë dhe me to që bëjnë.

Sa do të ishte mirë që të gjithë futbolldashësit dhe jo vetëm ata slloganin “ne besojmë” ta shndërrojnë në “ne punojmë”, që dëshirat të mos mbeteshin vetëm dëshira.

Sa do të ishte mirë që opozita të tregojë cila është alternativa e tyre qeverisëse, ndryshe nga ajo e atyre që janë në pushet.

Tifozët e futbollit duhet parë përtej brohoritmave dhe ikonografisë kuq e zi, ndërkaq klasa politike përtej tymit që i verbon në Kuvend.

Dalldisja në emër të patriotizmit nuk çon askund. As ajo në emër të demokracisë. Racionaliteti, e jo goditja e murit me kokë do të duhej të ishte parimi udhëheqës. Ndryshe, disfatat si në politikë, ashtu edhe në sport do t’i kemi të njëpasnjëshme dhe nuk do të na paguhet që të kënaqemi me dalldinë tonë, me verbërinë tonë – në budallakinë tonë.