Uji Dea

Misioni sekret i Kadri Veselit

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Lavdim Hamidi – Siç u fut gazi lotsjellës nga deputetët e opozitës në seancën e së enjtes, sa për sigurimin e institucionit që e drejton Kadri Veseli, lehtësisht do të mundë të futet edhe eksploziv për ta bërë rrafsh tempullin e demokracisë.

Fundja, shumëkush do të thoshte se pse të mos bëhet rrafsh ky institucion, kur më së paku i ngjason një tempulli të tillë, pasi që shumë deputetë janë aty pa vota, nëpërmjet vendeve të garantuara, ka shumë të tillë me vota të vjedhura, apo me vota të blera me para të korrupsionit dhe pakkush është deputet me meritë.

Me pak fjalë: nuk ka demokraci pa demokratë. Prandaj, një tempull i tillë i demokracisë, le të shkatërrohet!

Si duket as gatishmëria e deputetëve për ta rrafshuar Kuvendin në të ardhmen nuk mungon. Madje vetë “lideri muskuloz” i Aleancës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi veprime edhe më të mëdha, sesa hedhja e gazit lotsjellës në seancën e së enjtes, duke thënë se nuk është asgjë alivanosja e dy deputeteve, çka do të jenë veprimet e opozitës në të ardhmen!

*****

Për të gjitha këto zhvillime që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës, nuk ka si të mos drejtohet gishti fajësues kah shefi i këtij institucioni, Kadri Veseli, pikërisht për shkak të lojës së dyfishtë që po e luan.

Ish-shefi i SHIK-ut ka kohë që ka nisur një mision të ri që të dëshmohet para të gjithë deputetëve dhe opinionit se është një lider i vërtetë perëndimor dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Shërbimin, pavarësisht akuzave në të kaluarën në drejtim të tij.

Madje, akuza për vrasjen e zyrtarëve të LDK-së gjatë periudhës së pasluftës dhe për korrupsion nga Shërbimi që e kishte drejtuar Veseli, kishte ngritur edhe vetë kryeministri Mustafa dhe bashkëpartiakët e tij. Por, ja që gjithçka u harrua, pasi dy palët arritën marrëveshje për bashkëqeverisje.

Nuk po them se Veseli me sigurimin e tij duhet t’i nxjerrë zvarrë opozitarët nga Kuvendi, por kryeparlamentari nuk guxon të thërrasë seancë, pa krijuar kushte për një gjë të tillë dhe në fund drejtimin e seancës t’ia lërë nënkryetarit, Xhavit Haliti.

Edhe më të paarsyeshme se veprimet e opozitës kur nuk lejonin të zhvillohej seanca, duke fishkëllyer me bilbila (filikaça), ishte tendenca e partive në pushtet që të miratojë ligje në kushte të tilla të organizimit të seancës. Kjo mënyrë e kontrabandimit të ligjeve nga ana e pozitës, nuk do të kontribuojë aspak në zhbllokimin e Kuvendit.

FIDANISHTJA

As vetë Veseli nuk kontribuoi deri më tani në zhbllokimin e institucionit që e drejton, pasi që në njërën anë deklaronte se nuk ka tensionim të situatës në Kuvend dhe se deputetët janë të relaksuar, në anën tjetër organizonte tryeza me shoqërinë civile duke diskutuar se si të zhbllokohet legjislativi.

*****

Strategjia e Kadri Veselit, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryetar i partisë më të madhe në koalicion, është që të përfitojë në një situatë të tillë politike, kur të gjitha”shigjetat” janë drejtuar kundër Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, sidomos për shkak të marrëveshjeve të fundit të arritura me Serbinë dhe Malin e Zi.

Mustafa është një kandidat i djegur për kryeministër për zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm brenda LDK-së, por edhe për ndërkombëtarët, pasi që u dëshmua si “kryeministër kukull”, i cili nuk guxoi as të raportonte në Kuvend për Marrëveshjen për Asociacionin, pa praninë e zëvendësit të tij, Hashim Thaçi.

Dhe nëse ky i fundit hiqet nga kombinimi për kryeministër, qoftë për shkak të kalimit në Presidencë, apo për shkak të humbjes së terrenit në parti, atëherë Veseli do të arrijë ta realizojë lehtësisht “misionin sekret”, tendencë e cila po shihet nga aeroplani, që të bëhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

Prandaj, ka edhe një qasje të tillë me opozitën, pasi që po llogarit se një ditë do t’i duhet edhe përkrahja politike e këtyre të fundit.

Nuk ka asgjë të keqe që një politikan të ketë ambicie të tilla politike në të ardhmen.

Por, para se të mendojë të bëhet kryeministër, paraprakisht duhet ta dijë se përgjegjësitë për zhvillimet aktuale në Kuvend bien ekskluzivisht mbi të.

Në situata të tilla, kryeparlamentari ose duhet ta zbatojë Rregulloren e Punës së Kuvendit, ose t’i bashkohet Albin Kurtit për të gjuajtur gaz lotsjellës në seancë, sepse s’mund të mbajë pozicion neutral, duke bërë kalkulime politike.