Uji Dea

Forca është te numrat në kuvend, e jo te fjalët e përmallshme të opozitës!!.

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Gani Sadiku – Thënia e Faik Konicës “Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët” për rrugën që po kalon vendi, do duhej të ishte hymni i shtetit të Kosovës.Çdo ditë që po kalon po na bindë se Kosovën duhet shpëtuar, ata të cilët e çliruan dhe e shpëtuan në vitin 1999, por kësaj radhe nga vetvetja, duke qenë se opozita e ka bllokuar funksionalitetin e shtetit për çështje krejtësisht personale prej individëve të pakapshëm nga ana e ligjit.

Si është e mundur që njeriu të bëhet armiku i vetvetes, dhe a ndodhë kjo vetëm te popujt e vegjël, dhe pse pikërisht te shqiptarët.?

Si është e mundur që një grup individësh paranojak e parapolitik të nëntokës, të lidhur me sigurimet e huaja sekret, rrënojnë shtetin jo vetëm të nevojshëm por edhe të domosdoshëm, e nënçmojnë inteligjencën popullore dhe arrijnë të manipulojnë me masën, për ta shpëtuar veten nga gjykata speciale..?

Ç’farë të drejte kanë liderët e partive opozitare e sidomos AAK-ja (që tërë kohën ishte pjesëmarrëse e bisedimeve me Serbinë), dhe e NISM-ës, e cila ishte pjesë e PDK-së, në kohën e bisedimeve më intensive), të bllokojnë kuvendin, dhe të shtiren sikur e kaluara e tyre ka qenë krejt e pastër, duke i harruar euforitë e tyre iluzioniste gjat këtyre viteve të demokracisë, të cilët nuk do duhej kaç shumë të investonin në personalizimin e pushtetit.
A e dinë liderët e partive opozitare se me veprimet e tilla janë duke e forcuar Hashim Thaçin, i cili e “çon në pyka” opozitën për ta dëmtuar LDK-në, nga e cila frikohet se do të kishte mundësi t’ia kapte pushtetin nga dora PDK-së.

Duket nga distanca se këto veprime janë thjesht forma populiste që më lehtë i nxjerrin njerëzit në rrugë kur përmendet Serbia, se sa kur flitet për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Por jo,! Këtu opozita përgatitet të bëjë puç politik, për ta marrë pushtetin në një shtet që ende emrat e përvetshëm, nuk e lënë të konsolidohet.

Në këtë shtet janë mbajtur zgjedhjet e lira dhe të cilësuara si demokratike, është një qeveri që e ka një shumicë të cilësuar të cilën askush s’mund ta kontestojë. Deri sa kjo qeveri ka këtë numër të deputetëve, ajo sipas rregullave demokratike, mundë të marrë çdo vendim që e konsideron të nevojshëm, ndërsa opozita mund t’i kundërvihet me vota në zgjedhjet e tjera.

Pse një pjesë e mirë e PDK-së, janë kundër qeverisë dhe Isa Mustafës, sikurse edhe krahu i deputetëve të “pakënaqur” i LDK-së, (të cilët kanë interesa personale e jo qëllime parimore).?

Kjo hipokrizi e agjentëve të fortë politiko-shoqërorë është transformuar në një mohim të ri, që ideologjinë e shtetit roje nate ta kthejnë në roje personale të grupimeve parapolitike.!

Hidromorava

Në botën demokratike ndodhë të bllokohet kuvendi për ndonjë pikë të caktuar sa për të treguar që nuk pajtohet me politikat qeveritare dhe një kohë të shkurtë për të shprehur pakënaqësinë e cila me tepër kuptohet si luftë e opozitës për të ardhur në pushtet se sa për të manifestuar pakënaqësinë qytetare.

Askund në demokracitë botërore, as në Kongresin dhe Senatin amerikan, në Parlamentin francez, Bundestagun gjerman apo dhomat e kuvendit anglez, opozita nuk e bllokon shtëpinë e sovranit për qëllime të zbehta e krejtësisht politike, deri në shpërbërje të shoqërisë dhe shtetit…!

Elitat tona politike me filozofinë e tyre primitive, e ëndërrojnë historinë si të filluar me ta. Andaj për ndryshim nga vendet e tjera, ne nuk e kuptojmë dot ç’do të thotë zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe rregullim shoqërorë, duke hyrë në konflikte pa fund nuk arrijmë të ecim krahas vendeve dhe shoqërive të tjera.

Modeli qeverisës “Thaçi” jo vetëm nuk i ka shërbyer ndërgjegjësimit tonë kombëtar, por përkundrazi ka ndikuar negativisht në kohezionin social dhe degradim total të vlerave kombëtare.

Demokracia në vendet e pazhvilluara është më tepër term manipulativ, se sa liri e shprehjes dhe jetës,. Në demokraci vendos shumica, me një fjalë është pushtet i numrave edhe pse në disa raste mundë pakica të ketë të drejtë. Këtu sot duhet ta dimë se forca është te numrat e jo te fjalët e “përmallshme”të opozitës.

Ka ndodhë edhe gjatë historisë që në emër të popullit dhe shumicës, janë marrë vendime të dhimbshme, siç ishte rasti me Jesu Krishtin dhe Sokratin. I pari u kryqëzua ndërsa i dyti piu gotën me helm, që për këto u votua me shumicë votash.

Se, në fund të fundit, ne nuk duam një shtet të “fortë” për të siguruar pushtetin e disave, por për të na shërbyer ne të gjithëve. Një njeri, sado vizionar dhe vullnetmirë të jetë, nuk mundë të arrijë suksesin në demokraci, “nëse nuk sheh me sytë e popullit dhe gjykon me mendjen e Liderit”.

Lider të popullit në Kosovë nuk ka. Mundë të ketë lider partishë politike të cilët në të shumtën e herave punojnë për interesa klanore-partiake e më pak për interesa shoqërore e shtetërore.

Nëse në këtë situatë që është katandisur vendi, nuk ndërhyjnë prapë ambasadat e huaja e sidomos të SHBA-së, Anglisë e Gjermanisë, ata të cilët e çliruan nga Serbia, (por kësaj radhe e rrezikuar seriozisht nga vet shqiptarët), rrezikojmë të shpërbëhemi si shoqëri dhe si shtet./rajonipress/