Karambol në Kuvend
Nga Milaim Shefkiu – Tri partitë e opozitës parlamentare që janë bashkuar pa “dashje” në një front antiqeveritar, sërish janë bërë objekt debati në Kosovë dhe rajon. Përveç që bllokuan seancën e Parlamentit, ata “aksidentalisht” e shndërruan këtë institucion të brishtë, në një teatër ku jepen shfaqje monotone, gjithmonë pa “happy end”.
Sikurse në seancën e kaluar kur u gjuajt me vezë kryeministri Isa Mustafa, edhe dje seanca u ndërpre, pas bllokimit të foltores nga deputetët opozitarë.
Arsyetimi ishte i njëjtë, praktika e njëjtë, logjika e njëjtë dhe qëllimi i njëjtë.
Opozita po kërkon nga kryeministri Mustafa, diçka që realisht nuk mund të ndodhë: tërheqjen e nënshkrimit nga dy marrëveshjet e fundit, njërën me Serbinë në Bruksel për “Zajednicën” (siç po thotë “Vetëvendosje”) dhe tjetra me Malin e Zi, për demarkacionin e kufirit.
Për të parën është deklaruar edhe Bashkimi Evropian se kthim mbrapa nuk ka, pavarësisht lojës me hile që e kanë luajtur partnerët e koalicionin, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Këtë mesele e ka kuptuar me kohë edhe opozita, por e interpreton ndryshe, sikurse qeveria Marrëveshjen për Asociacionin.
Ndërsa për demarkacionin me Malin e Zi, është e natyrshme dhe e ligjshme që Marrëveshja të ratifikohet në Kuvend. Pra këtu ata kanë të drejtë, dhe në këtë stad, ka akoma mundësi për ndërhyrje.
Opozita, nëse vërtet e ka qëllimin që ta kundërshtojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, duhet të kërkojë, që edhe këtë marrëveshje ta miratojë në Kuvend.
Por, qëllimi nuk është këtu!.
Kjo tanimë është shpërfaqur, se ideja e bllokimit të Kuvendit dhe paralizimi institucional i ligjshmërisë, është shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare. Fronti opozitar është i vetëdijshëm, se tërheqje të nënshkrimit nga marrëveshjet me ndërmjetësim ndërkombëtar nuk ka, pa “revolucion”, prandaj kërkon diçka që mund të favorizojë – shkuarjen në zgjedhje të reja.
Dikush mund të pyesë se ku e çon Kosovën ky bllokim i Kuvendit dhe a ka Kosova komoditet të shkojë në zgjedhje të reja?.
Natyrisht, se kjo është një aventurë e re dhe e rrezikshme për Kosovën, sikurse do të jenë tepër të rrezikshme protestat e paralajmëruara të opozitës dhe kërcënimi për eskalim të situatës.
Opozita duhet ta ketë të qartë, se pakënaqësia në Kosovë gati ka arritur vlimin, me papunësi të madhe, rikthim masiv të atyre që kanë ikur vitin e kaluar, paperspektivë evropiane, skamje ordinere…, dhe kur këto brigada të të pakënaqurve i bashkohen aksidentalisht opozitës, atëherë vetëm një shkëndijë e vogël mund t’ia vërë flakën vendit. Dhe kjo më pas do të ishte tepër tragjike për një vend në tranzicion, që nuk ka arritur të legjitimohet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
E një Kosovë, si Shqipëria në vitin 1997, nuk i duhet as opozitës në një qeveri të mundshme.
Në anën tjetër, ky bllokim në Kuvend, duhet përfundimisht t’i japë sinjal Qeverisë se nuk mundet më, si në të kaluarën, ta instrumentalizojë Kuvendit, sipas tekeve të saj.
Nuk luhet më karambol në Kuvend, duke majorizuar pakicën në çdo seancë.
Me ardhjen dhe fuqizimin e “Vetëvendosjes” e sidomos me bashkimin e opozitës në një të ashtuquajtur “front”, fasulja tani në Parlament ha kokrra –kokrra.
Dhe jo vetëm marrëveshjet e fundit, por për secilën çështje që prek interesin nacional, duhet të debatohet dhe analizohet në Kuvend me të gjitha palët, e më pas të merret vendim.
Qeveritarët nuk guxojnë më të sillen si sherifët amerikanë të shekullit XVIII, ta bëjnë ligjin sipas dëshirës. Derisa Qeveria e ka hëngër karremin dhe ka pranuar një Asociacion, që i jep legjitimitet serbëve për një autonomi politike, duhet të bëjë një veprim aproksimativ si ai në Bruksel. Ta pranojë Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës edhe atë në njërën nga seancat e ardhshme të Qeverisë.
Të njëjtin veprim duhet ta bëjë edhe opozita, që të kërkojë reciprocitet me Serbinë, e nëse ata tentojnë ndarje, Lugina të kërkojë bashkimin. Bashkimi kombëtar është edhe nocion legjitim i “Vetëvendosjes” dhe partive tjera opozitare. Ndryshe, një bllokim i Kuvendit, që do ta krijonte një “deja vu” me ngërçin politik të vitit 2014, nuk i konvenon Kosovës e as shqiptarëve, por armiqve të saj.


