FIDANISHTJA

“Kinezët” e sefasë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Mbush qeverinë e institucionet tjera me militantë e të paaftë, mbush administratën me të padijshëm, mbush universitetin me profesorë mediokër. Dhe pastaj shëtit zyrtarisht nëpër botë, merr mëditje e bëj qejf. Kjo është logjika e qeverisjes “ndryshe”, logjika “kineze” e qeverisjes

Kur një delegacion nga Kosova ishte takuar në korrik të vitit 2012, në Zagreb, me kryetarin e këtij qyteti, Milan Bandic, ai ishte habitur me numrin e madh të zyrtarëve që e përbënin. Delegacioni “kinez”, siç e kishte cilësuar ai, përbëhej nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe të Ambasadës së Kosovës në Kroaci.

Pak ditë më parë në SHBA udhëtoi, po ashtu, një delegacion “kinez” nga Kosova. Të paktën 26 zyrtarë shtetërorë morën udhë drejt New Yorkut për të marrë pjesë në sesionin vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së. Udhëheqës shtetërorë, këshilltarë, asistentë e truproja u turrën për t’i kaluar disa ditë atje dhe për të përfituar edhe më shumë nga paratë tona. Akomodim, bileta aeroplani e mëditje është dashur të sigurohen për ta, ndërkohë që nuk ka pasur fare nevojë që një armatë e tërë zyrtarësh të fluturojë përtej Atlantikut.

Kosova si një vend i varfër, me numër të madh qytetarësh që bëjnë jetë të mjerë dhe mezi mbijetojnë, nuk e ka luksin që në ngjarje të tilla të përfaqësohet me delegacione kaq të mëdha. Në vend se të shpenzohet për këshilltarë e asistentë që vetëm dëshirojnë ta vizitojnë New Yorkun, të bëjnë shoping dhe ta realizojnë ndonjë selfie për kujtim, më mirë do të ishte që me ato para të bëhet ndonjë punë e hajrit, që nuk është se i shohim shpesh në këtë vend.

Por, logjika “kineze” nuk është se funksionon vetëm tash, në kohën e Isa Mustafës. Ngjashëm ka ndodhur edhe në qeverisjet e mëparshme.

Mustafa pati premtuar se do të jetë ndryshe, por fjalët i hëngri me të formuar kabinetin qeveritar – një kabinet “kinez” me hiq më pak se 23 ministra, gati trefish më shumë zëvendësministra dhe një kallaballëk këshilltarësh e asistentësh. Kjo nënkupton shpenzime marramendëse për paga, mëditje e çka jo tjetër. Ndërkohë, një numër partiakësh, militantësh, familjarësh e miqsh u rehatuan në borde kompanish publike e në shërbimin diplomatik. Pritet të rehatohen edhe shumë të tjerë. Paratë publike do të rrjedhin lumë për t’ua kënaqur nevojat zyrtarëve të shtetit. Të shtetit që nuk është në gjendje t’u sigurojë qytetarëve jetë të dinjtetshme. Të shtetit që ka mbushur zyrat qeveritare, agjencitë e administratën me njerëz të paaftë e të padijshëm, që përpiqen të krijojnë perceptimin se janë të zotët duke u veshur shik e duke vënë kravatë.

* * *

Logjika “kineze” nuk ka të bëjë vetëm me kabinetin qeveritar. Që nga paslufta njësoj veprohet edhe në universitetin publik. Mijëra studentë regjistrohen e diplomojnë çdo vit, pa e pasur mundësinë të gjejnë punë. Studimet shteti i sheh si zgjidhje për “rehatimin” të paktën për tre vjet të të rinjve të aftë për punë, ndërkohë që gjithçka është kthyer në një pazar të madh diplomash e titujsh akademikë, që ka degraduar tej mase.

Fundamenti

Tash, kur rektori aktual i Universitetit të Prishtinës përpiqet të vejë rend e rregull, ai sulmohet nga të gjitha anët. Sulmohet nga kolegë të tij mediokër, të cilët nuk dinë as të shkruajnë shqip, sulmohet nga ish-eksponentë politikë që njihen për afera – nga ata që e kanë kapur universitetin për vite me radhë dhe kanë bërë çfarë kanë dashur në të dhe me të.

Kundër rektorit mund të jenë ata dallaveraxhinj që kanë marrë tituj të dyshimtë shkencorë e akademikë, ata që kanë përfituar dhe përfitojnë para të majme nga puna “akademike” – nga regjistrimet e studentëve me para nën dorë, nga shpërndarja pa dhimtë e diplomave dhe titujve për dreqin e të birin – për komandantë e familjarë komandantësh, për të ashtuquajtur politikanë e miq të tyre, për keqpërdorues e keqbërës.

Atyre iu vjen përshtati situata kaotike në UP. Ata dinë të notojnë vetëm në llumin që e kanë krijuar vetë. Ata janë bashkëfajtorë për gjendjen e mjerë, në të cilën e kanë sjellë universitetin. Ata nuk duan cilësi, rend e rregull, por kaos e matrapazllëk.

* * *

Të pretendosh se do të qeverisësh ndryshe nga të tjerët, e të veprosh njësoj si ata nuk është gjë tjetër veç tallje me qytetarët. Siç është tallje edhe të premtosh se do ta ruash paranë publike, e në anën tjetër të mos kursesh për të marrë gjithë kabinetin në ekskursionin amerikan.

Të tilla veprime tregojnë se edhe Isa Mustafa është njësoj si të tjerët kur bëhet fjalë për privilegje e papërgjegjësi. Ashtu siç nuk dallon aspak nga nga të tjerët edhe ministri i tij i Arsimit i cili, në vend se ta mbështesë rektorin e UP’së në misionin e tij për të ndrequr çfarë mund të ndreqet në institucionin e degraduar edhe gjatë kohës sa ai e udhëhiqte, ka nisur betejën kundër tij.

Sepse kjo vazhdon të jetë logjika e qeverisjes në këtë vend: nëse është keq-bëje edhe më keq. Nëse paraardhësi yt ka përfituar shumë-ti kaloja.

Dhe, në vend se të tregosh i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm si udhëheqës, bëhu njeri i qejfit. Bëhu pjesë e “kinezëve” të sefasë.