Mbahet panairi tradicional “T`i ruajmë vlerat tona tradicionale”
Viti – Në Viti është mbajtur sot Panairi i 5-të tradicional “T’i ruajmë vlerat tona tradicionale”, organizuar nga Komuna e Vitisë, respektivisht Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në bashkëpunim me Grupin Lokal të Veprimit (GLV) “Vitia” dhe organizatën IKC.
Ky Panair ka për qëllim të mbështes Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të promovojë prodhimet vendore, promovojë ndërmarrësin dhe krijimin e ndërmarrjeve të reja, sidomos tek femrat, si dhe të forcojë bashkëpunimin dhe partneritetin në mes të prodhuesve vendor dhe institucioneve të komunës.
Zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, në hapjen e këtij panairi tha se komuna e Vitisë në organizimin e panairit tradicional për të 5 herë me radhë po tregon një gatishmëri që këto begati të dhuruara nga natyra me këtë fushë të pëlleshme, me kullosa të mjaftueshme dhe me një ambient të pasur të cilën e zbukuron mjaft edhe Lumi Morava, bëjnë që këto begati t`i shfrytëzojmë për kultivimin në shfrytëzimin e këtyre degëve të ekonomisë. “Qeveria komunale është e përkushtuar që të ju siguroj me përpjekje maksimale infrastrukturë dhe subvencionim në zhvillimin e veprimtarisë suaj në përputhje me mundësit buxhetore”, ka thënë Aliu.
Ndërsa Hysni Thaqi drejtor i Shërbimit këshillimor pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka theksuar se Panairi “T’i ruajmë vlerat tona tradicionale”, nga viti në viti po dëshmon pjekuri dhe një organizim pak më të mirë dhe kualitativ, i cili kryesisht mbështetet nga komuna dhe Departamenti i Bujqësisë, si dhe Grupi Lokal I Veprimit i cili është i dalluar në Kosovë si më aktivë.
Ai tha se brenda mundësive, Ministria e Bujqësisë po angazhohet që në mënyrë racionale të mbështes ata që me djersën, punën dhe angazhimin e tyre e bëjnë komunën dhe Kosovën më të mirë.
Në emër të organizatorit të këtij panairi, drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural veton Ademi, u shpreh se komuna e Vitisë e cila potencial të jashtëzakonshëm ka bujqësinë, është e angazhuar në ofrimin e kushteve sa më të mira për hartimin e politikave stimuluese për përpunimit dhe kultivimin e kulturave bujqësore. “Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, vazhdon të jetë e përkushtuar për të investuar dhe për të zhvilluar sektorin e bujqësisë në kuadër të këtij organizimi që sot po i jep mundësi bujqve të promovojnë prodhimet e tyre”, u shpreh Ademi.
Për qëllimin e Panairit dhe rëndësinë e tij folën edhe Ekrem Bajrami nga IKC dhe Fadile Demelezi nga Grupi Lokal i Veprimit. E veçanta e panairit të sivjetmë ishte pjesëmarrja edhe e fermerëve nga Maqellara e Shqipërisë, pos atyre nga komuna e Vitisë dhe komunave fqinje. Prodhuesit prezantuan prodhimet e tyre nga sektori i bujqësisë, industrisë ushqimore, kopshtari, bletari, artizanate etj./rajonipress/


