Vitia shënon 28 Nëntorin me seancë solemne, homazhe dhe aktivitete festive
Viti – Komuna e Vitisë ka nisur shënimin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me një sërë aktivitetesh festive e përkujtimore, të cilat kanë filluar me seancën solemne të Kuvendit Komunal.
Në këtë seancë, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka vlerësuar rëndësinë historike të 28 Nëntorit, duke theksuar se kjo ditë përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Haliti tha se 28 Nëntori është ditë e kujtimit dhe respektit për të gjithë ata që ndër breza sakrifikuan për lirinë dhe të ardhmen e kombit shqiptar.
Duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, ai theksoi se sakrifica e paraardhësve përbën obligim për institucionet dhe qytetarët që të punojnë për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të zhvilluar.
Kryetari Haliti nënvizoi gjithashtu se institucionet komunale kanë përgjegjësi të vazhdueshme për mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin lokal dhe krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë dhe familjet.
Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, e cilësoi 28 Nëntorin si ditë të lavdisë dhe krenarisë kombëtare, duke bërë thirrje për ruajtjen e kujtesës historike, unitetit dhe angazhimit për një të ardhme më të mirë.
Ai theksoi se muaji nëntor mbart data dhe ngjarje të rëndësishme për historinë shqiptare, duke përmendur figurat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit, si dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas përfundimit të seancës solemne, përfaqësuesit institucionalë dhe pjesëmarrësit kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, ku kanë vendosur kurora me lule në nderim të të rënëve për lirinë e vendit.
Aktivitetet për festën kombëtare kanë vazhduar edhe gjatë ditës, ndërsa në orët e mbrëmjes është paraparë të mbahet manifestimi qendror, me një program artistik të pasur me këngë dhe valle, në shenjë kremtimi të 28 Nëntorit.
Vitia po e shënon kështu Ditën e Flamurit përmes aktiviteteve institucionale, homazheve dhe manifestimeve kulturore, duke nderuar historinë dhe sakrificën kombëtare./rajonipress/

