Ndahet nga jeta mësuesi Bajram Qerimi, për 44 vjet i shërbeu arsimit dhe edukimit të brezave
Gjilan – Është ndarë sot nga jeta mësuesi Bajram Qerimi, një nga emrat e respektuar të arsimit në komunën e Gjilanit, i cili për më shumë se katër dekada ia kushtoi jetën dijes, edukimit dhe formimit të shumë brezave të nxënësve.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët përmes një njoftimi mortor, duke bërë të ditur edhe kohën dhe vendin e ceremonisë së varrimit.
Sipas njoftimit të familjes Qerimi, varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 28 nëntor 2026, pas namazit të ikindisë, në orën 13:55, në varrezat e fshatit Llovcë, në vendlindjen e tij.
Kush ishte mësuesi Bajram Qerimi?
Bajram Qerimi (1946–2026) ishte mësues i mësimit klasor dhe njëri ndër arsimtarët që la gjurmë të rëndësishme në historinë e arsimit në komunën e Gjilanit. Ai lindi më 1 janar 1946 në fshatin Llovcë, në një familje fshatare, ku dashuria për dijen dhe shkollimin u bë pjesë e rrugëtimit të tij jetësor.
Shkollimin fillor e nisi në vendlindje, për ta vazhduar në Pogragjë. Më pas u regjistrua në Shkollën Normale të Gjilanit, të cilën e përfundoi në vitin 1967. Formimin e tij profesional e thelloi edhe më tej, duke përfunduar në vitin 1981 Akademinë Pedagogjike në Gjilan.
Karrierën në arsim e nisi më 9 shtator 1967 në Shkollën Fillore “Liria” në Llovcë, ku punoi deri në vitin 1975. Më pas, nga viti 1975 deri më 1987, vazhdoi punën edukativo-arsimore në shkollën e Pogragjës, ndërsa në vitin 1987 u transferua në Shkollën Fillore “Musa Zajmi” në Gjilan.
Në këtë institucion arsimor punoi deri më 1 janar 2011, kur edhe u pensionua, duke përmbyllur një karrierë prej 44 vjetësh në shërbim të arsimit.
Përtej profesionit të mësuesit, Bajram Qerimi u dallua edhe si sportist dhe aktivist shoqëror. Korrektësia, përkushtimi ndaj komunitetit dhe marrëdhëniet njerëzore e bënë një figurë të respektuar në vendlindje dhe në Gjilan.
Me ndarjen e tij nga jeta, familja, ish-kolegët, nxënësit dhe komuniteti humbin një njeri që një pjesë të madhe të jetës ia kushtoi shkollës dhe edukimit të brezave.
Bajram Qerimi do të kujtohet si mësuesi që për 44 vjet mbajti ditarin në dorë, si edukator i shumë brezave dhe si një njeri që la gjurmë në jetën arsimore e shoqërore të Gjilanit.
Ngushëllime familjes Qerimi, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën.
U prehtë në paqe!/rajonipress/

