Haliti shpërndan 14 plugje për fermerët e Vitisë, investimi kap vlerën e 18.900 eurove
Viti – Komuna e Vitisë ka vazhduar mbështetjen për sektorin e bujqësisë, duke shpërndarë 14 plugje prej 12 inçësh për fermerët që kultivojnë sipërfaqe më të mëdha të tokës bujqësore.
Pajisjet u dorëzuan nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtorin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira.
Vlera e përgjithshme e këtij investimi është 18.900 euro, ndërsa fermerët përfitues kanë participuar me 20 për qind të kostos së pajisjeve.
Me shpërndarjen e këtyre plugjeve, Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural ka përmbyllur procesin e shpërndarjes së pajisjeve bujqësore të planifikuara për vitin 2026.
Ky projekt synon të lehtësojë punën e fermerëve dhe të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve përpunuese në sektorin e bujqësisë në komunën e Vitisë./rajonipress/

