Dyshohet se mashtroi me sëmundjen e leukemisë, arrestohet në Gjilan: Grumbulloi mbi 189 mijë euro përmes donacioneve
Gjilan – Një person me inicialet E.A. është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit, pasi dyshohet se kishte organizuar një fushatë për mbledhjen e donacioneve duke pretenduar se vuante nga leukemia akute.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari dyshohet se nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një histori të pavërtetë për gjendjen e tij shëndetësore, me qëllim të përfitimit pasuror.
Përmes platformës “GoFundMe”, ai kishte zhvilluar fushatë për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë, kinse për trajtim dhe rehabilitim mjekësor. Shuma e mbledhur, sipas Prokurorisë, arrin në 189 mijë e 206 euro e 8 centë.
Pas pranimit të informacioneve dhe nisjes së hetimeve, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprime për bllokimin e mjeteve financiare në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara lidhur me rastin.
I dyshuari ishte vendosur në kërkim policor, ndërsa është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Rasti po hetohet nën dyshimin për veprën penale të mashtrimit, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./rajonipress/

