Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit në Prizren
Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BAUNAS), e cila u mbajt në Prizren, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së në bashkëpunimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në rajon dhe më gjerë.
Gjatë punimeve të Asamblesë u diskutuan dhe u miratuan çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e asociacionit, përfshirë pranimin e anëtarëve të rinj dhe votimin e rregullores së re. Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve anëtare.
Në kuadër të këtij aktiviteti, rektori Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të universiteteve të ndryshme anëtare, përfshirë rektorin dhe sekretarin e përgjithshëm të Universitetit Trakya, si dhe përfaqësues të tjerë akademikë. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike, zhvillimi i projekteve të përbashkëta, shkëmbimi i stafit dhe studentëve, si dhe krijimi i partneriteteve të reja ndërinstitucionale.
UBT është anëtar i rregullt i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit prej disa vitesh dhe merr pjesë aktive në aktivitetet dhe iniciativat e tij. Përveç këtij asociacioni, UBT është pjesë edhe e rrjeteve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare të arsimit të lartë, përfshirë Asociacionin e Universiteteve Evropiane (EUA), Magna Charta Universitatum dhe UNIMED-in.
Pjesëmarrja e UBT-së në këto platforma ndërkombëtare dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për zgjerimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Përmes pjesëmarrjes aktive në asociacione dhe rrjete ndërkombëtare, UBT vazhdon të kontribuojë në avancimin e arsimit të lartë, forcimin e lidhjeve akademike rajonale dhe ndërkombëtare dhe zhvillimin e partneriteteve strategjike me universitete nga vende të ndryshme.



