Komunat e Anamoravës vazhdojnë mbështetjen për Strehimoren Rajonale “Liria” në Gjilan
Gjilan – Komuna e Gjilanit, së bashku me komunat e Kamenicës dhe Vitisë, kanë nënshkruar vazhdimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Qendrën “Liria” në Gjilan, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ky memorandum synon vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në familje, përmes shërbimeve të strehimit, mbrojtjes dhe përkujdesjes.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet tri komunave të Anamoravës, duke vlerësuar se angazhimi i përbashkët është thelbësor për krijimin e një mjedisi më të sigurt për viktimat e dhunës.
Ai ritheksoi se mbështetja për Qendrën “Liria” është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Komunës së Gjilanit në fuqizimin e shërbimeve sociale dhe mbrojtjen e qytetarëve që kanë më së shumti nevojë.
Me këtë rast, Hyseni falënderoi Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe stafin e Qendrës “Liria” për përkushtimin dhe punën e përditshme në mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj viktimave të dhunës në familje./rajonipress/

