Nis asfaltimi i rrugës Feriqevë-Gjyrishec, investim prej 1.5 milion eurosh në Malësinë e Kamenicës
Kamenicë – Ka filluar asfaltimi i rrugës që lidh Feriqevën me Gjyrishecin, një projekt infrastrukturor me vlerë prej 1.5 milion eurosh, i cili synon përmirësimin e qarkullimit dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët e kësaj ane të Malësisë së Kamenicës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj.
Sipas njoftimit të Rahimajt, projekti parasheh asfaltimin e një segmenti rrugor me gjatësi prej 7.5 kilometrash dhe gjerësi prej 5.50 metrash, me dy shtresa asfalti, përkatësisht 7 dhe 5 centimetra.
Ky investim konsiderohet i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, lehtësimin e lëvizjes së banorëve dhe rritjen e qasjes në vendbanimet e kësaj zone.
Kryetari Rahimaj ka falënderuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit për kontributin në realizimin e këtij projekti, duke vlerësuar se investimet infrastrukturore po vazhdojnë në vendbanime të ndryshme të komunës.
Ai ka veçuar edhe potencialin natyror të Malësisë së Kamenicës, duke e cilësuar këtë zonë si piktoreske dhe duke i ftuar qytetarët ta vizitojnë pas përfundimit të punimeve.
“Kërkesë pas kërkese, vendbanim pas vendbanimi, investime që preken e ndryshime që tashmë po dihen”, ka shkruar Rahimaj në postimin e tij.
Përfundimi i këtij projekti pritet të ndikojë në përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore ndërmjet Feriqevës dhe Gjyrishecit, duke krijuar lehtësi më të mëdha për banorët dhe vizitorët e kësaj pjese të Kamenicës./rajonipress/

