Policia në Gjilan shqipton 1,695 gjoba për një javë, 59 shoferëve u ndalohet drejtimi i automjeteve
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar 1,695 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 6-12 nëntor 2026. Gjatë kësaj jave janë regjistruar edhe 22 aksidente trafiku, prej të cilave 13 me persona të lënduar dhe nëntë me dëme materiale.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në rajonin e Gjilanit kanë zhvilluar aktivitete të shtuara në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka shqiptuar gjithsej 1,695 gjoba, ndërsa 59 ngasësve u është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Përveç kontrolleve dhe masave ndëshkuese, policia ka realizuar edhe aktivitete vetëdijesuese në bashkëpunim me organizata joqeveritare.
Njësia për Sektor dhe Komunitet e Stacionit Policor në Gjilan, në bashkëpunim me OJQ-në “Fuqia e Bashkimit Rinor”, ka zhvilluar një aktivitet në terren, gjatë të cilit janë bashkëbiseduar drejtuesit e automjeteve për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut.
Në fokus të këtij aktiviteti ishte edhe përgatitja për sezonin dimëror, veçanërisht pajisja e automjeteve me goma dimërore dhe bartja e zinxhirëve për borë.
Policia ka theksuar se këto aktivitete synojnë vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Autoritetet policore u bëjnë thirrje të gjithë ngasësve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë kushteve të vështira atmosferike të sezonit dimëror./rajonipress/

