Vitia vazhdon investimet në infrastrukturën rrugore, përgatiten për asfaltim disa segmente në lokalitete të ndryshme
Viti – Komuna e Vitisë po vazhdon realizimin e projekteve infrastrukturore në disa lokalitete, me fokus në përmirësimin e rrjetit rrugor dhe krijimin e kushteve më të mira për qarkullimin e qytetarëve.
Aktualisht, punimet janë duke vazhduar në përgatitjen për asfaltim të disa segmenteve rrugore në Debelldeh, në vendin e njohur si “Kodra e Furrës”, në Sadovinë të Çerkezve, te varrezat e reja, në segmentin nga Lindi deri te rruga Mogillë–Viti, si dhe në qytetin e Vitisë, nga shkolla fillore “Dëshmorët e Vitisë” deri te zona e njohur si Bahçet.
Punimet në terren i ka vizituar nga afër kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka theksuar rëndësinë e këtyre investimeve për përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e jetës së përditshme të banorëve.
Sipas tij, investimet në infrastrukturën rrugore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës, lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e qasjes së qytetarëve në shërbimet e nevojshme.
Kryetari Haliti ka bërë të ditur se Komuna e Vitisë do të vazhdojë me realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore, me synimin që investimet të shtrihen në sa më shumë lokalitete dhe të kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.
Përmes këtyre projekteve, Komuna e Vitisë synon të avancojë infrastrukturën lokale dhe të krijojë kushte më të mira për banorët, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale./rajonipress/

