Mësimi përtej bankave shkollore, nxënësit e SHFMU “Nazmi Hoxha” vizitojnë fabrikën “Viva Fruta” në Gjilan
Gjilan – Nxënësit e klasave të pesta të SHFMU “Nazmi Hoxha” në Gjilan kanë zhvilluar një vizitë edukative në fabrikën “Viva Fruta”, duke e zhvendosur mësimin nga bankat shkollore në një ambient ku njohuritë teorike u konkretizuan përmes përvojës praktike.
Vizita u realizua në kuadër të lëndës Gjuhë shqipe, përmes temës “Edukimi në tryezë dhe pjekja e pemëve”, me ç’rast nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me procesin e pjekjes së bananeve.
Gjatë qëndrimit në fabrikë, ata mësuan se si bananet importohen të papjekura nga vende të ndryshme dhe kalojnë nëpër procedura të veçanta të pjekjes, deri në momentin kur bëhen të gatshme për konsum.
Kjo përvojë u mundësoi nxënësve të lidhin njohuritë e marra në klasë me praktikën, duke zgjeruar horizontin e tyre të të mësuarit dhe duke nxitur kureshtjen për të zbuluar më shumë rreth proceseve që ndodhin në jetën e përditshme.
Nga SHFMU “Nazmi Hoxha” kanë shprehur mirënjohje për fabrikën “Viva Fruta” për mikpritjen dhe mundësinë e ofruar, duke vlerësuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla në plotësimin e procesit edukativo-arsimor./rajonipress/


