Hapet një kapitull i ri në Ortopedinë e Gjilanit: Realizohet me sukses vendosja e protezës së parë totale të gjurit
Gjilan – Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka shënuar një arritje të rëndësishme në avancimin e shërbimeve ortopedike. Për herë të parë në këtë institucion është realizuar me sukses ndërhyrja kirurgjike për vendosjen e protezës totale të gjurit, të siguruar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Ky zhvillim paraqet një hap të rëndësishëm për zgjerimin e shërbimeve shëndetësore në nivel rajonal dhe krijon mundësi që pacientët që kanë nevojë për zëvendësimin e nyjës së gjurit të trajtohen më afër vendbanimit të tyre, pa pasur domosdoshmërisht nevojë për t’u drejtuar në qendra të tjera spitalore.
Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, ndërhyrja e parë e këtij lloji është realizuar me sukses, ndërsa pacientja pas operacionit është në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Pas ndërhyrjes, pacientja është vizituar edhe nga drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, i cili është interesuar nga afër për gjendjen e saj shëndetësore dhe ecurinë e rikuperimit gjatë dhe pas operacionit.
Ndërkohë, familjarët e pacientes kanë shprehur mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për menaxhmentin e spitalit dhe stafin e Ortopedisë, duke vlerësuar kujdesin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë trajtimit.
Ekipi profesional që realizoi ndërhyrjen
Operacioni u realizua nga një ekip multidisiplinar i profesionistëve shëndetësorë të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, me këtë përbërje:
Dr. Veprim Presheva – operator;
Dr. Rinor Velekinca – asistent;
Dr. Redon Jashari – asistent;
Dr. Kelmend Jahiri – anesteziolog;
Veranda Xhimshiti – instrumentare;
Hasime Qerimi – teknike e anestezionit.
Fillimi i realizimit të protezave totale të gjurit në Spitalin e Gjilanit përfaqëson një zhvillim me rëndësi për pacientët e Anamoravës dhe rajoneve përreth, veçanërisht për personat që vuajnë nga dëmtimet e rënda të nyjës së gjurit dhe kanë nevojë për trajtim kirurgjik.
Vendosja e protezës totale të gjurit është një ndërhyrje e specializuar ortopedike, e cila synon përmirësimin e funksionit të nyjës, zvogëlimin e dhimbjeve dhe rritjen e cilësisë së jetës së pacientëve.
Me këtë shërbim të ri, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit zgjeron kapacitetet e tij profesionale dhe trajtimin ortopedik, duke sjellë më pranë qytetarëve një mundësi të rëndësishme për ndërhyrje të specializuara.
Menaxhmenti i spitalit ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e avancimit të shërbimeve shëndetësore dhe ofrimin e trajtimit cilësor e të sigurt, me shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve në qendër të vëmendjes./rajonipress/

