Prof. Dr. Rifat Latifi drejt rikthimit në shërbim të Kosovës – emri i njohur i mjekësisë ndërkombëtare i bashkohet vizionit për zhvillimin e vendit
Kosova ka nevojë për dijen, përvojën dhe profesionalizmin e bijve të saj më të suksesshëm. Një prej figurave më të spikatura të shkencës dhe mjekësisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, Prof. Dr. Rifat Latifi, ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në Kosovë dhe për të vënë përvojën e tij shumëvjeçare në shërbim të institucioneve dhe zhvillimit të shtetit.
Ky është një lajm me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe një dëshmi se potenciali intelektual e profesional i diasporës mbetet një prej pasurive më të mëdha të vendit tonë.
Prof. Dr. Rifat Latifi nuk është thjesht një emër i njohur në fushën e mjekësisë. Ai është një personalitet me karrierë të jashtëzakonshme akademike, shkencore, klinike dhe drejtuese, i cili për dekada ka ndërtuar një profil të respektuar në institucionet prestigjioze universitare dhe spitalore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë.
I lindur në Kllodernicë të Skenderajt, Dr. Latifi e nisi rrugëtimin e tij akademik në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Pas përvojës fillestare profesionale në Kosovë, ai vazhdoi karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u specializuar në institucione me renome botërore, përfshirë Cleveland Clinic dhe Yale University School of Medicine. Gjithashtu, përfundoi subspecializimin në kujdesin intensiv kirurgjik në Lincoln Hospital, të lidhur me New York Medical College.
Karriera e tij akademike shënon një arritje të veçantë: vetëm pesë vjet pas përfundimit të specializimit në kirurgji në Universitetin Yale, ai u promovua në profesor të rregullt të kirurgjisë. Më pas, mbajti pozita të rëndësishme akademike dhe drejtuese në Virginia Commonwealth University, University of Arizona dhe New York Medical College.
Në Shtetet e Bashkuara, Dr. Latifi ka shërbyer si kryetar dhe profesor i kirurgjisë në New York Medical College, si dhe drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Westchester Medical Center Health Network, në Nju Jork. Përvoja e tij ndërkombëtare përfshin edhe udhëheqjen e Qendrës së Traumës në Hamad General Hospital në Doha të Katarit.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në praktikën klinike dhe udhëheqjen institucionale. Dr. Latifi është një studiues dhe autor me veprimtari të gjerë shkencore, me mbi 500 punime të botuara në revista shkencore të recensuara ndërkombëtarisht dhe kapituj librash, si dhe autor dhe redaktor i rreth 20 librave profesionalë e shkencorë. Ai ka kontribuar në zhvillimin e kirurgjisë moderne, traumatologjisë, kujdesit intensiv kirurgjik, telemjekësisë dhe transformimit të sistemeve shëndetësore.
Një prej kontributeve të tij më të rëndësishme për Kosovën është themelimi dhe zhvillimi i telemjekësisë, si dhe angazhimi në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë. Në vitin 2015, për kontributin në telemjekësinë dhe vullnetarizmin kirurgjik ndërkombëtar, u nderua me çmimin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve.
Në vitin 2018, ai u zgjodh president themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në institucionalizimin e zhvillimit profesional, edukimit dhe kërkimit shkencor në kirurgji.
Në nëntor të vitit 2021, Dr. Latifi mori edhe përgjegjësinë e Ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, detyrë të cilën e ushtroi deri në tetor të vitit 2022. Ndërsa në dhjetor të vitit 2025, u emërua drejtor i Qendrës së Kosovës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore në Universitetin e Prishtinës, një projekt me rëndësi për avancimin e edukimit dhe kërkimit shkencor në vend.
Pikërisht ky profil i jashtëzakonshëm profesional dhe akademik e bën angazhimin e tij të mundshëm në Kosovë një zhvillim me rëndësi të veçantë.
Konfirmimi i gatishmërisë së Prof. Dr. Rifat Latifit për t’iu bashkuar vizionit tonë për zhvillimin e Kosovës është një sinjal inkurajues se vendi mund të mobilizojë kapacitetet e tij më të mira njerëzore, pavarësisht se ku jetojnë dhe veprojnë ato.
Por ky është vetëm fillimi.
Krahas Dr. Latifit, kemi marrë konfirmime edhe nga personalitete të tjera me kredibilitet të lartë akademik, profesional dhe institucional, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Zvicra, Suedia dhe Turqia. Bëhet fjalë për profesionistë, studiues, akademikë dhe drejtues me përvojë ndërkombëtare, të cilët kanë shprehur përkrahjen për Platformën tonë për Zhvillim dhe gatishmërinë për të kontribuar drejtpërdrejt në të ardhmen e Kosovës.
Ne besojmë se zhvillimi i Kosovës nuk mund të ndërtohet duke lënë anash dijen, përvojën dhe potencialin e njerëzve të saj më të suksesshëm. Përkundrazi, duhet të krijojmë hapësirë për çdo profesionist, akademik dhe ekspert që dëshiron ta vërë përvojën e tij në shërbim të atdheut.
Nuk është koha për përjashtime, por për bashkim. Nuk është koha për ndarje, por për mobilizim të potencialit kombëtar.
Kosovës i duhen njerëz që kanë dëshmuar sukses në botë, por që nuk e kanë harruar vendin nga i cili kanë ardhur. I duhen dije, kompetencë, përgjegjësi dhe lidership me vizion.
Prof. Dr. Rifat Latifi përfaqëson pikërisht këtë potencial: ndërthurjen e rrënjëve shqiptare me përvojën akademike dhe profesionale ndërkombëtare.
Ky është vizioni ynë: ta kthejmë dijen në zhvillim, përvojën në institucione më të forta dhe diasporën në një forcë aktive të transformimit të Kosovës.
Sepse Kosova nuk ka mungesë njerëzish të aftë. Ajo ka nevojë për një vizion që i bashkon ata dhe ua hap dyert për të kontribuar.
Kur njerëzit më të suksesshëm të Kosovës në botë vendosin ta vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të atdheut, atëherë kemi arsye të besojmë se një kapitull i ri i zhvillimit të Kosovës mund të fillojë./rajonipress/

