Me dhimbje e pikëllim, Llashtica i jep lamtumirën mësuesit Zeqir Ramushi, që edukoi breza të tërë
Gjilan – Me dhimbje dhe pikëllim të thellë i është dhënë lamtumira e fundit mësuesit Zeqir Ramushi, i cili do të kujtohet për kontributin e tij shumëvjeçar në arsim dhe përkushtimin në edukimin e brezave të rinj.
Përmes një njoftimi prekës, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët (SHFMU) “Esat Berisha” në Llashticë ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të mësuesit Zeqir Ramushi.
Në mesazhin e publikuar, kolegët e tij kanë vlerësuar figurën e mësuesit Ramushi, duke theksuar kontributin e tij në arsim, përkushtimin ndaj dijes dhe edukimit, si dhe gjurmët që ka lënë në jetën e shumë nxënësve.
Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje për familjen, kolegët, miqtë, ish-nxënësit dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
Nga SHFMU “Esat Berisha” kanë përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të gjithë ata që ndiejnë mungesën e tij.
“Njerëzit që ia kushtojnë jetën arsimit nuk largohen kurrë plotësisht, sepse vepra dhe kujtimi i tyre jetojnë në brezat që edukuan”, thuhet në mesazhin e shkollës.
Kujtimi për mësuesin Zeqir Ramushi dhe kontributi i tij në edukimin e brezave do të mbeten pjesë e trashëgimisë së shkollës dhe komunitetit.
U prehtë në paqe!/rajonipress/

