Kusari-Lila: Nëse nuk ulen çmimet e derivateve, do ta rikthejmë çmimin tavan
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se nëse rënia e çmimeve të derivateve në tregun botëror nuk reflektohet në tregun e Kosovës brenda pak ditëve, Qeveria do ta rikthejë çmimin tavan për naftën.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, e cila ngriti shqetësimin për ndikimin e shtrenjtimit të naftës në çmimet e produkteve të tjera dhe pyeti për arsyet e heqjes së çmimit tavan, Kusari-Lila tha se në dy ditët e fundit ka filluar një rënie e çmimeve në tregun ndërkombëtar.
“Arsyeja e çmimit 1.90 ose 1.89, që është sot, e evidentuar, ka të bëjë me rritjen e çmimit në tregun botëror. Megjithatë, pozitive në këto dy ditët e fundit është një fillim i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në çmimin në tregun në Kosovë, atëherë ne e rikthejmë çmimin tavan, i cili tashmë kemi edhe bazën ligjore për ta bërë atë”, tha ajo.
Ministrja ka shpjeguar se vendimi për heqjen e çmimit tavan është marrë më 8 shtator, pas përfundimit të afatit të përcaktuar me udhëzimin administrativ, ndërsa ka thënë se nga ajo datë institucionet kanë vazhduar monitorimin e çmimeve në baza ditore.
“Prandaj, edhe e kemi marrë këtë masë që nga marsi i vitit 2026 deri më 8 shtator. Çka kemi bërë? Kemi shqyrtuar gjendjen e inspektimeve, por gjithashtu edhe kemi pasur skadim të afatit bazuar në këtë udhëzim administrativ. Afati i përcaktuar me udhëzimin administrativ që e përmenda është 90 ditë. Çmimi tavan ka qenë në fuqi 180 ditë. Megjithatë, pas heqjes së këtij vendimi, që nga data 8 shtator deri më sot, më 5 nëntor, në baza ditore kemi bërë dhe bëjmë, vazhdojmë të bëjmë monitorimin e çmimit dhe përcaktimin e marzhës sipas çmimeve të tregut, gjithsesi vlerësimin sipas çmimeve të tregut. Ky është grafi i cili e tregon lëvizjen e çmimeve, ndërsa me të zezë janë çmimet e tregut në ditët respektive. Gjithashtu, kam një tabelë e cila është e gjeneruar nga të dhënat zyrtare të importit, të cilat e tregojnë se marzha që nga heqja e çmimit tavan nuk e ka kaluar 12 centin, i cili është i përcaktuar me udhëzimin administrativ. Ka qenë 11.5 cent”, tha Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se Kosova është e ekspozuar ndaj lëvizjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare për shkak të nivelit të lartë të importit, por ka theksuar se Qeveria do të ndërhyjë në rastet kur plotësohen kushtet ligjore.
“Kosova, siç e dini, nuk është e izoluar dhe nuk ka qenë e izoluar nga këto zhvillime. Në të kundërt, është shumë e ekspozuar për shkak të nivelit të madh të importit. Megjithatë, qeveria nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndrojë pasive përballë këtyre çrregullimeve të tregut. Ne ndërhyjmë aty ku i kemi kushtet ligjore dhe aty ku mund të rregullojmë me dispozita të reja, siç kemi bërë tani dhe po vazhdoj t’ju prezantoj më poshtë.Vendosja e marzhës maksimale tregtare, ose e çmimit maksimal për produktet e naftës, bëhet në bazë të udhëzimit administrativ nr. 03/2022 për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme e masave të tjera mbrojtëse, të ndryshuar dhe plotësuar me udhëzimin administrativ nr. 09/2022. Neni 3, paragrafi 2, nënparagrafi 2.3, përcakton si shkak për ndërhyrjen mospërshtatjen e çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror”, tha Kusari-Lila./EO/

