Kamenica avancon planifikimin e mobilitetit urban, në fokus siguria dhe lëvizshmëria e qëndrueshme
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka mbajtur punëtorinë e dytë në kuadër të hartimit të Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban, një proces që synon transformimin e mënyrës së lëvizjes në qytet dhe krijimin e një infrastrukture më të sigurt, funksionale dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët.
Punëtoria është organizuar në bashkëpunim me UN-Habitat Kosova dhe me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung (FES), duke bashkuar përfaqësues institucionalë dhe partnerë të angazhuar në procesin e planifikimit të zhvillimit urban.
Në hapje të aktivitetit, të pranishmëve iu drejtuan Besim Morina, menaxher i projektit nga Komuna e Kamenicës, Rudina Nallbani, përfaqësuese e FES-it, dhe Modest Gashi, përfaqësues i UN-Habitat Kosova.
Gjatë punëtorisë u prezantua analiza e gjendjes aktuale të mobilitetit në Kamenicë, si dhe rezultatet e vlerësimit cilësor të realizuar nga UN-Habitat Kosova në bashkëpunim me OJQ-në IDRA. Diskutimet u përqendruan në objektivat strategjike, skenarët e ardhshëm të lëvizshmërisë dhe identifikimin e masave konkrete për përmirësimin e qarkullimit urban.
Përmes punës në grupe, pjesëmarrësit trajtuan mundësitë për ndërtimin e një sistemi më efikas të transportit, rritjen e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e kushteve për këmbësorët, çiklistët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Hartimi i këtij plani përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt planifikimit modern urban, ku zhvillimi i qytetit nuk matet vetëm me zgjerimin e infrastrukturës, por edhe me cilësinë e jetës, sigurinë dhe mundësitë e barabarta të lëvizjes për secilin qytetar.
Komuna e Kamenicës, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, synon që përmes këtij procesi të ndërtojë një vizion afatgjatë për mobilitet urban të qëndrueshëm, duke i dhënë zhvillimit të qytetit një dimension më bashkëkohor, ekologjik dhe në shërbim të komunitetit./rajonipress/

