Kamenica gjobit me 500 euro pronarin e biznesit për hedhjen e mbeturinave në shtratin e lumit në Koretin
Kamenicë – Inspektorati Komunal i Kamenicës ka shqiptuar gjobë prej 500 eurosh ndaj një pronari biznesi, pasi është konstatuar hedhja e mbeturinave inerte në shtratin e lumit në fshatin Koretin.
Rasti është evidentuar pas ankesave të banorëve dhe thirrjes së Policisë së Kosovës, me ç’rast inspektorët komunalë kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar shkeljen e dispozitave ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
Për veprimin e kundërligjshëm, ndaj personit përgjegjës është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh, ndërsa atij i është kërkuar që pagesën ta realizojë brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se nuk do të tolerojë veprime që cenojnë mjedisin, ndotin hapësirat publike dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve, duke paralajmëruar se çdo shkelje e evidentuar do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Njëkohësisht, institucionet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë përgjegjësi më të madhe ndaj mjedisit dhe të shmangin hedhjen e mbeturinave në lumenj dhe hapësira të tjera publike.
Mbrojtja e lumenjve dhe e hapësirave publike nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi qytetare për ruajtjen e mjedisit dhe cilësisë së jetës së brezave të ardhshëm./rajonipress/

