Vitia dhe Havza drejt partneritetit të ri, diskutohet mundësia e binjakëzimit të dy komunave
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim homologun e tij nga Havza e Turqisë, Murat İkiz, me të cilin ka diskutuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të përvojave në qeverisjen lokale dhe krijimit të një partneriteti afatgjatë ndërmjet dy komunave.
Takimi, i cili u zhvillua në frymën e afrimit të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve lokale të Kosovës dhe Turqisë, vuri në fokus mundësinë e binjakëzimit të Komunës së Vitisë me Komunën e Havzës, në provincën e Samsunit. Ky bashkëpunim potencial synon të krijojë hapësira të reja për shkëmbim institucional, zhvillim të iniciativave të përbashkëta dhe përfitime konkrete për qytetarët e të dy komunave.
Kryetari Sokol Haliti e vlerësoi vizitën e delegacionit turk, duke shprehur mirënjohje për interesimin dhe gatishmërinë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit. Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet pushteteve lokale, si mekanizëm për ndarjen e përvojave, avancimin e qeverisjes dhe realizimin e projekteve me interes të përbashkët.
Në përbërje të delegacionit nga Havza ishin edhe kryetari i Shoqatës Turke për Ballkanin, İzzet Altuntaş, kryetari i Asociacionit të Komunave për provincën e Samsunit, Özgür Atalay, si dhe anëtarë të Kuvendit Komunal të Havzës. Delegacioni shoqërohej nga profesori Jusuf Osmani.
Mundësia e binjakëzimit të Vitisë me Havzën përfaqëson një perspektivë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në nivel lokal, duke synuar që marrëdhëniet ndërmjet dy komunave të përkthehen në iniciativa konkrete në fushat e zhvillimit, kulturës, arsimit dhe shkëmbimit të përvojave institucionale.
Partneritetet ndërmjet komunave nuk ndërtojnë vetëm ura mes institucioneve, por krijojnë mundësi që qytetet, përvojat dhe komunitetet të afrohen përmes interesave dhe vizioneve të përbashkëta./rajonipress/


