Karvani i uzurpatorëve të Akademisë marshon!
Nga Sali Bytyçi – Është një godinë, që e ndërtoi politika gjoja për t’u bërë shkencë aty – tani nga më modernet, e cila brenda saj strehon njerëzit më të zgjedhur që mund të ketë Republika e Kosovës, po disa të përzgjedhur për ultësinë e tyre, të cilës ia patën vënë emrin Akademia e Shkencave dhe e Arteve!. Ajo edhe këtë vit, si për çdo katër vjet, pranon anëtarë të rinj.
Këtë herë, me sa kam dëgjuar, janë paraqitur për të hyrë aty mjaft kandidatë. Po sapo filloi aplikimi i kandidatëve, që ndryshe quhet edhe “propozim”, u dhanë edhe prognozat se kush ka shanse të hyjë aty e kush jo.
Dhe, edhe unë që jam i fundit që i dëgjoj llafet, në rrugët e Prishtinës dëgjova që, në mes të tjerash, këtë vit në Akademi do të pranohen edhe dy ministra aktualë, njëri i LDK-së e tjetri i PDK-së.
Zakonisht, shumë prej atyre që dëgjohen në rrugë, dalin të vërteta.
Pra, partitë në pushtet, përvojën e futjes së njerëzve të tyre në borde, tani kanë filluar ta përdorin edhe në futjen e njerëzve të tyre në Akademi: ti kaq, unë kaq; ata që janë në opozitë asnjë, ndërkaq ata që nuk merren me politikë, pra që nuk janë në parti politike, as më këmbë nuk guxojnë të kalojnë afër Akademisë!
Sipas kësaj logjike, logjikës së pushtetit, Akademia është e pushtetit dhe pushteti i fut njerëzit e vet aty! Deri para katër vjetësh kryesisht monopolin mbi Akademinë e kishte LDK-ja, prej kësaj kohe arriti t’i fusë hundët aty edhe PDK-ja, pasi u bë forcë politike pushtetore!
Ai që ma tha për këta dy ministra, ishte i sigurt që të përmendurit do të pranohen patjetër në Akademi, për të tjerët, si të bëjnë merhamet akademikxhinjtë, shtoi. Dhe unë, pas disa ditësh, pa një pa dy, ia thashë këtë një akademiku që e takova rastësisht. “Kam dëgjuar që këtë vit do të hyjnë në Akademi dy ministra aktualë, njëri i LDK-së e tjetri i PDK-së!” (Kujtim Shala dhe Enver Hoxhaj). Akademiku më shikoi, çoi buzën në gaz dhe ma ktheu: “I pari ka mundësi të zgjidhet, ndërsa i dyti ka rënë në procedurat e konkurrimit!”
Pasi pushova pak, i thashë: “Po si nuk përmbaheni që, personat të cilët kanë mandat politik, pa marrë parasysh çfarë vlerash të larta mund të kenë, të mos hyjnë në Akademi gjatë kohës sa janë në politikë?”
Akademiku, shumë i relaksuar, ma ktheu se nuk ka një ligj që politikanit ia pamundëson hyrjen në Akademi!
Bisedën që nuk e vazhdova më tej me akademikun, më pas e vazhdova me veten.
Të gjitha ligjet, rregulloret, nenet e Akademisë i kanë krijuar këta akademikët që janë aty. 1. Këta akademikë kanë futur një nen në Rregulloren e pranimit në Akademi, sipas të cilit personi që mbush 65 vjet nuk ka të drejtë të konkurrojë fare për të hyrë në Akademi, ndërkaq, për personat që merren me politikë, nuk e kanë paraparë një nen që ua ndalon hyrjen në Akademi!
2. Kjo Akademi deri në këtë mandat e kishte një nen në Rregulloren e saj (tani për tani nuk e di a e ka ende), sipas të cilit i jep të drejtë vetes, pra Seksioneve të Akademisë, të propozojnë anëtarë për të hyrë në Akademi!! Me këtë nen tani veç janë futur aty disa “akademikë”!
3. Kjo Akademi, ndërsa ka nenin në Rregullore sipas të cilit ua ndalon hyrjen personave mbi 65 vjet, e ka edhe nenin në Rregullore sipas të cilit Seksionet e saj kanë të drejtë të propozojnë kë të duan për anëtar të Akademisë, nuk e ka nenin që ua ndalon njerëzve të politikës të hyjnë aty, kurrë nuk e sanksionoi me ligj plagjiaturën!
Pra, sipas kësaj, del që akademikët mund të vjedhin sa të duan, ku të duan e kur të duan, të marrin honorarë për këto vjedhje, sepse nuk kanë nen në Rregulloren e tyre, që e sanksionon hajninë intelektuale!
Ndonëse jo më të lartët në dije dhe në etikë, disa akademikë, sidomos udhëheqja e kësaj Akademie, janë më të lartët në poshtërsitë e tyre dhe për zhvatjen e buxhetit të Republikës së Kosovë, edhe pse buxhet i varfër është!
Që sa kohë janë drejtuar kritika ndaj veprimtarisë së ulët të kësaj godine që do të duhej të ishte godina më e lartë, po është më e ulëta e Kosovës, por këta kanë shkuar përpara me atë thënien e famshme: “Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara!”, pra nuk janë ndalur për asnjë minutë, por karvani i tyre nuk është karvan i nderit, po karvan i poshtërsisë!
Akademia politike
Godinën që ia ndërtoi Akademisë politika, pra një godinë moderne, në fakt politika e ndërtoi për vete: 1. Gjoja se në Republikën e Kosovës ka Akademi, 2. Faktikisht, për t’i sajdisur njerëzit e saj.
Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e krijoi atëbotë politika, sepse konsideronte se, politikisht, Kosovës i takon Akademia. Prandaj, prej ditës së hapjes (1975, po me një emër tjetër) e derisa ra pushteti politik që e hapi, në Akademi i futi njerëzit e vet Lidhja e Komunistëve; prej vitit 1990 e deri në vitin 2008, kur e kishte pushtetin fiktiv, po edhe kur e mori pushtetin pas lufte, i futi njerëzit e vet Lidhja Demokratike, që ishte një zgjatim i asaj Lidhjes së parë; nga viti 2008 e këtej në futjen e njerëzve në Akademi filloi të bëhej hisetare edhe Partia Demokratike, por që deri më tani ngeli një hisetare e përulur, “aq sa t’i japin”!
Pra, si përfundim, kjo godinë nuk ka të bëjë asgjë as me shkencën e as me artet, po me politikën, me atë që e ka krijuar. Kush nuk e beson këtë, le të bëjë listën e akademikëve, po të ndalet te puna e tyre, te funksionet politike, prej kryetarëve të partive e deri te ish-kryetarët e komunave!

