Vrasja e Arlinda Zekajt, jep dorëheqje drejtori i Policisë Gazmend Hoxha
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Lajmin e bëri të ditur Qeveria e Kosovës, e cila tha se kryeministri Albin Kurti sot e pranoi kërkesën për dorëheqje nga Hoxha dhe e liroi atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti”.
Qeveria tha se “e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”.
Zekaj, 49 vjeçe, dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj, derisa bashkëshorti i saj ishte ndaluar nga policia në mbajtje për 48 orë për kanosjen e saj.
Vrasja e saj zgjoi zemërim në shoqëri për përgjegjësinë institucionale dhe dështimin në mbrojtjen e jetës së saj përkundër thirrjeve të shumta për ndihmë që ajo i kishte drejtuar në Policinë e Kosovës dhe organet tjera të drejtësisë.
Protestuesit tash e tri ditë po kërkojnë dorëheqjen edhe të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, por që të dy sot në një konferencë për media refuzuan të japin dorëheqjen.
Ndërkohë, një sërë zyrtarësh policisë janë suspenduar nga puna për rastin e Arlinda Zekajt dhe gjithashtu edhe Këshilli Prokurorial ka suspenduar kryeprokuren e Prokurorisë Themelore në Pejë, si dhe prokuroren e rastit./Express/

