United Hospital

Kuvendi i Gjilanit shqyrton raportin financiar: Të hyrat vetanake mbi 4.2 milionë euro, investimet kapitale në 41.8%

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën drejtimin e kryesueses Krenare Latifi Kqiku, ka mbajtur seancën e nëntë të rregullt për këtë vit, ku në fokus të diskutimeve ishte raporti financiar për periudhën janar–shtator 2026, krahas një sërë çështjesh që lidhen me zhvillimin komunal, shërbimet publike, arsimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Raportin financiar para anëtarëve të Kuvendit e prezantoi drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, i cili bëri të ditur se të hyrat vetanake të komunës gjatë nëntë muajve të parë të vitit kanë arritur në mbi 4.2 milionë euro, apo më shumë se 73 për qind e planifikimit vjetor. Ndërkaq, shpenzimet e përgjithshme buxhetore për këtë periudhë kanë kapur vlerën prej 33.3 milionë eurosh.

Sipas të dhënave të prezantuara, realizimi i buxhetit ndryshon nga një kategori ekonomike në tjetrën. Pagat dhe shtesat janë realizuar në masën 82.37 për qind, mallrat dhe shërbimet 79.53 për qind, shpenzimet komunale 59.32 për qind, ndërsa subvencionet dhe transferet 59.43 për qind. Investimet kapitale kanë shënuar realizim prej 41.8 për qind, duke paraqitur një nga kategoritë me nivelin më të ulët të shpenzimit në raport me planifikimin përkatës.

AR Katana

Në fokus edhe ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit

Para shqyrtimit të çështjeve të rendit të ditës, në kuadër të fushatës “Tetori Rozë”, profesionistë shëndetësorë, nën organizimin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, iu drejtuan kuvendarëve me mesazhe për rëndësinë e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi Kqiku, falënderoi profesionistët shëndetësorë për angazhimin e tyre dhe theksoi rëndësinë e informimit dhe ndërgjegjësimit të grave për këtë sëmundje.

“Një kontrollë me kohë mund të bëjë ndryshimin mes frikës dhe shpresës”, tha Latifi Kqiku, duke nënvizuar se përballë pasojave të kancerit të gjirit, shoqëria nuk duhet të heshtë.

Në këtë drejtim, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimozë Kadriu-Qerimi, bëri të ditur se që nga viti 2023, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan është funksionalizuar shërbimi i mamografisë, i cili ofrohet pa pagesë.

Miratohen vendime për pronën publike dhe ndërmarrjet komunale

Gjatë seancës, Kuvendi miratoi propozim-vendimin për shpalljen e interesit të ligjshëm publik për sigurimin e tokës që nevojitet për zgjerimin e varrezave në Lladovë. Po ashtu, u miratua raporti përfundimtar për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera për periudhat mars–qershor dhe korrik–gusht 2026.

Anëtarët e Kuvendit miratuan gjithashtu plotësim-ndryshimet për Komisionin për Emërtimin e Rrugëve, i cili do të ketë 11 anëtarë, si dhe për Komisionin për Zgjedhjen e Këshillave Lokalë, me shtatë anëtarë.

Në kuadër të çështjeve ekonomike dhe të funksionimit të shërbimeve publike, u miratua edhe propozim-vendimi për subvencionimin e ndërmarrjeve publike lokale NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe NPL “Tregu”. Propozimin e arsyetoi drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Haki Huruglica.

Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Jeton Rexhepi, paraqiti informacion lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, ndërsa draft-statuti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Komunës së Gjilanit u shty për shqyrtim në mbledhjen e radhës.

Debat për çështjet komunale

Në seancë pati diskutime, pyetje, kritika dhe rekomandime nga një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Kuvendit, ndërsa përgjigjet për çështjet e ngritura i dhanë drejtorët përkatës komunalë.

Në fund, Kuvendi i Komunës së Gjilanit mbajti një minutë heshtje në nderim të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.

Seanca trajtoi kështu një gamë çështjesh që përfshijnë menaxhimin e financave publike, investimet kapitale, organizimin institucional dhe shërbimet për qytetarët, ndërsa të dhënat financiare të prezantuara ofrojnë një pasqyrë të realizimit buxhetor të komunës gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.