Formohet ekipi punues për mbështetjen e të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka ndërmarrë hapa konkretë drejt zbatimit të projektit për mbështetjen e personave të moshuar dhe personave me aftësi të kufizuara, të cilët nuk kanë përkujdesjen e nevojshme familjare.
Në kuadër të përgatitjeve për realizimin e këtij projekti, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Besart Kryeziu, ka mbajtur një takim pune me përfaqësues të drejtorisë, ku është diskutuar organizimi i aktiviteteve dhe koordinimi i veprimeve për fillimin e zbatimit.
Gjatë takimit është formuar edhe ekipi punues, i cili do të jetë përgjegjës për koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve të parapara, me synimin që mbështetja të arrijë te personat që kanë më së shumti nevojë për përkujdesje.
Sipas njoftimit të komunës, projekti pritet të nisë së zbatuari së shpejti dhe synon të kontribuojë në përmirësimin e mirëqenies dhe të cilësisë së jetës së këtyre kategorive, përmes ofrimit të mbështetjes dhe përkujdesjes së nevojshme.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kamenicë ka theksuar përkushtimin e saj për realizimin e projekteve që përmirësojnë shërbimet për qytetarët, me vëmendje të veçantë ndaj kategorive më të ndjeshme të shoqërisë./rajonipress/

