Kontrata 860 mijë euro për asfaltimin e rrugëve në Kamenicë, qytetarët ia kujtojnë Rahimajt problemet e pazgjidhura: “Petrovci ujë të pijes nuk ka!”
Kamenicë – Postimi i kryetarit Kadri Rahimaj për kontratën e re të asfaltimit ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale. Krahas kërkesave për investime në rrugë, qytetarët kanë ngritur shqetësime edhe për mungesën e ujit të pijshëm dhe projektet që, sipas tyre, kanë mbetur jashtë planifikimit.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka njoftuar për nënshkrimin e një kontrate të re për asfaltimin e rrugëve lokale, me vlerë të deklaruar prej rreth 860 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të tij, projekti përfshin gjithsej 53 rrugë, me gjatësi të përgjithshme prej 6.512 metrash, në Kamenicë dhe në lokalitetet Koretin, Petrit, Topanicë, Busavatë, Berivojcë e Hogosht. Rahimaj ka bërë të ditur se procedurat administrative kanë përfunduar me sukses dhe se kontrata ka afat trevjeçar.
Megjithatë, njoftimi nuk është pritur vetëm me komente pozitive. Disa qytetarë kanë shfrytëzuar hapësirën e komenteve për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me infrastrukturën dhe nevojat e papërmbushura në zonat ku jetojnë.
Ismail Kastrati ka ngritur shqetësimin për furnizimin me ujë të pijshëm në Petrovci, duke shkruar: “Në vend të asfaltit, Petrovci ujë të pijes nuk ka!!!!”
Ndërkaq, Gëzim Mustafa ka kërkuar që të mos lihet pas dore rruga në Rahovicë. Ai ka theksuar se banorët janë të shqetësuar për gjendjen e saj dhe kanë nevojë për hapa konkretë drejt përmirësimit të infrastrukturës.
Edhe Qani Ramadani, në emër të banorëve të Muhocit, ka kërkuar sqarime për ndërtimin e trotuarit deri te kufiri, duke shprehur shqetësimin nëse projekti do të realizohet.
Në anën tjetër, Xhevat Klaiqi ka vënë në pikëpyetje mungesën e rrugës Bujnoc–Kikë dhe të rrugës për në Rahovicë në listën e projekteve të paralajmëruara, duke ngritur pretendime për trajtim të pabarabartë në investimet infrastrukturore.
Përveç shqetësimeve konkrete për projekte të caktuara, në komente janë shprehur edhe kritika të ashpra politike ndaj qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
Reagimet tregojnë se, për një pjesë të komentuesve, njoftimi për investimet e reja nuk e ka zbehur pakënaqësinë për problemet që ata thonë se vazhdojnë të përballojnë në vendbanimet e tyre.
Mbetet të shihet nëse kërkesat e banorëve do të marrin përgjigje nga komuna dhe nëse rrugët e përmendura në komente do të përfshihen në projekte të ardhshme infrastrukturore./rajonipress/

