Osmani: Marrëdhënia me Amerikën nuk është çështje protokolli, por çështje e sigurisë kombëtare
Ish-presidentja Vjosa Osmani ka theksuar rëndësinë strategjike të marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar se mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë me nivelet më të larta të administratës së Presidentit Donald Trump mund të rrezikojë interesat kombëtare të vendit.
Osmani ka përmendur Presidentin Trump, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe kabinetin politik të presidentit amerikan, duke vlerësuar se Kosova duhet të ketë komunikim të drejtpërdrejtë dhe strategjik me ta.
Postimi i plotë:
Marrëdhënia me Amerikën nuk është çështje protokolli, por çështje e sigurisë kombëtare.
Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, përmbajtësor dhe strategjik me nivelet më të larta të Administratës Trump: Presidentin Trump, Sekretarin Rubio dhe kabinetin politik të Presidentit, përbën një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare dhe interesat tona strategjike. Kjo mungesë, i lë hapësirë më të madhe Serbisë që të shtyjë përpara narrativat e saj të rrejshme kundër Kosovës.
Kosova nuk mund ta trajtojë si çështje dytësore marrëdhënien me aleatin e saj jetik. Pa një partneritet të fortë politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as integrimi ynë euroatlantik, as mbrojtja e së vërtetës historike për luftën çlirimtare, as mbrojtja e sovranitetit dhe shtetësisë sonë nuk mund të garantohen me sigurinë dhe qëndrueshmërinë që kërkojnë interesat tona kombëtare.

