Hidromorava - Gjilan

Meti Rexhepi: Diskursi i shenjave të hapura

/ 14 minuta lexim

Sarë Gjergji: Poetika e transformimit në poezinë e Ramadan Musliut. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2026.

Në nismë të këtij studimi të përgjithësuar të poezisë së poetit Ramadan MUSLIU, Profesor Dr. Sarë Gjergji poezinë e këtij poeti e percepton si rrjedhojë i “një leximi të zgjeruar”, por, do të thoshim edhe si njëra nga qasjet e përthelluara të pesë librave poetikë brenda periudhash kohore prej dyzetë vjetësh: PARODIA E TRUPIT (1981), SHQISA E GJASHTË (1983), PASQYRA E TË RRËFYERIT (1987), NË ZEMRËN E GJËRAVE (2005) dhe GJENDJE NEUTRALE (2019).
Duke iu qasur leximit kritik, eseistik, estetik dhe stilistik të studimit dhe me pleksje ndërvepruese, lidhen fragmente të përvojës për sprova të reja kapjesh në këtë diskurs. Diskursi doemos i përkon lëndës së shtruar në vargje dhe, hyn në marrëdhënie ndërdisiplinore që njëkohësisht shpërfaq edhe nivelin e kompetencës stilistike:
“Në këtë kuptim, herbariumi është analog me poezinë. Poezia ruan fragmente të përvojës, por duke i ruajtur i ndryshon. Ajo nuk është kopje e jetës, por gjurmë e saj e transformuar. Kjo vetëdije për ndërmjetësimin estetik e bën SHQISËN E GJASHTË më refleksive se vëllimi i parë.” (f 23).

SHQISA DYSHUESE DHE KORIGJUESE

Hidromorava

Studiuesi rreket t’i zbërthejë ngërthesat poetike, t’i konceptojë me një saktësi matematikore; nga të panjohurat më të thjeshta deri te tërësitë e konotacioneve, në tërësinë e ndërvarjes së shenjave që ndërtojnë kuptomëni mes sendesh, figurash, natyrës së djeshme dhe të tashmes, përmes riorganizimit të pesë shqisave nëpërmjet një lloji korrigjimi nga shqisa e gjashtë. Diskursi shqyrtues i Gjergjit arrin të kap kumte dhe kuptime figurative të tekstit poetik edhe atëherë kur duken krejtësisht të zhveshura dhe, pa funksion bartës ngërthesash, por që në vijim rikthimi te të njëjtat shenja e motive vjen me misionin e ri – veshjes nga një pamje e re e realitetit. Pohimi ynë përkitazi ndjekjes së rrjedhës përputhet me diskursin e nënvizuar: “Shqisat janë të rëndësishme sepse janë kufiri ku bota hyn në njeriun. Ato janë porta të njohjes, por porta të pasigurta. Poezia i vë në provë, i zgjeron dhe i bën të dyshojnë në vetvete.” (f 24).
Gjithnjë duke i kapur dhe qëruar lëvozhgat që shfaqin brendinë e elementeve e të sendeve, fizikën dhe shpirtëroren, qëmtuesi kritik i heton arsyet pse poezia e trajtuar në thellësi e gjerësi, “ruan një intensitet material edhe kur trajton çështje metafizike.” Mbi
këtë premisë diskursi i Gjergjit sjell çanësime të natyrës filozofike: “Ideja nuk qëndron mbi sendin; lind nga transformimi i sendit.” (f 28).

Qasjeve analitike të pesë vëllimeve me poezi të poetit dhe kritikut Ramadan MUSLIU, Gjergji iu mbarështohet përqendrueshëm, gjithnjë në lidhmëni të begatimit të sistemit poetik, larg klisheve të diskurseve të përsëritur, duke vënë në veprim fjalorin analitik e përkufizimet sintetike, evoluimet konceptuare të shenjave poetike nga njëri te tjetri vëllim, nga cikli në ciklet librore. Andaj, ngërthesat e shenjave të fjalëve i ngrit në koncepte që shpërfaqin sende të natyrës, objekte artificiale, si: zalli, deti, xhami, plastmasa, ora, pasqyra, mjete materiale të dukshme, të prekshme, të rëndomta, por që te kjo poezi marrin përmasa kontekstesh, nëntekstesh, refleksesh, pasqyrimesh tej përbërjes së tyre materiale e hapësinore dhe, hyjnë në ndjeshmëri ndjenjash e idesh si kërkues shtresimesh jetësore të një natyre të transformuar.
Këtu diskursi kap dhe hap dukurinë poetike të vetë-përfaqësimit, të vetëgjykimit, pasqyrën që të vetë-mashtron atmosferën, mjegullën, mjegullnajën… Krejt dukuria e pamjes mund të merr trajta të një realiteti të përmbysur real dhe imagjinar, vetë-kënaqje dhe dëshpërim, pamje që kërkon shfajësim, pastrim, por që ka mbetur prore diçka e paparë, e pa pastruar si vetëdije, si qenie etike mëkatare. Nga konstatimet analitike të funksionalizimit të këso lloj tipologjie të poezisë, diskursi vjen te shtrojera e çanësimit:
“Detyra e poezisë është ta mbajë shenjën të hapur, të mos e lejojë të mbyllet në një kuptim të vetëm.” (f 30).

EVOLUIMI I GJENDJEVE

Kapitulli i katërt i librit poetik NË ZEMRËN E GJËRAVE tërheq për përqendrimin e analizës dhe spostimin nga trupi si koncept strumbullar, te “gjërat” që i gatuan jeta menysë së njeriut: te materialja, përjetimi i plakjes dhe estetika e sendeve. Ku e sheh Profesor Gjergji këtë funksionalizim të shenjave poetike dhe shtruarjen në një rrafsh të një vistre porosish? Aty dhe atje dhe atëherë kur: “Sendet fitojnë një gravitet të ri ontologjik.” NË ZEMRËN E GJËRAVE Ai sheh hapësira edhe më të zgjeruara idesh dhe përfytyrimesh të imagjinatës “ku fizika dhe metafizika vazhdojnë të shkëmbejnë fjalor.” (f 31). Pra shenjat poetike shmangen nga fjalori i groteskut të theksuar dhe vishen me kostumet e meditimit mbi trajta të substancës.
Autori i këtij diskursi vëmendshëm analizon elementet e rëndomta që marrin veçanti dhe ideshmëri sipas kësaj tipologjie të shtjellimit. Vëren dhe dallon nuancat e ngjyrimit të fjalëve te “Gjendje asnjanëse” dhe, “parathotë” të ardhmen e gjendjes së më parme që kalon në evoluime metamorfozash nga “Gjendje asnjanëse” në GJENDJE NEUTRALE, libër ky i botuar në vitin 2019. Kësisoj, arrihet zbërthimi i hollësive dhe paralajmërimi i lidhjeve organike të motiveve që shënojnë trajta specifike të jetës nga e djeshmja tek e tashmja, nga e natyrshmja te artificialja dhe, përballja me tensionet e riciklimit të modernes.

Diskursi argumentues i kapjeve përgjithësuese dhe madje përthelluese në pesë vëllimet, që la poeti dhe kritiku i shkallës elitare Ramadan MUSLIU, spikatë poezinë e një lloj fjalori të administratës, të punës, të konsumit, të reklamës dhe të jetës urbane. Ndonëse fjalorin që prek përditshmërinë, për habi, fare pak e hasim të jetë trajtuar nga këndvështrime të stilit figurativ me ngjyrime ironike dhe të groteskut poetik. Shpërpushja e ironisë shoqërore e teknologjisë kolektive në këtë trajtesë studimi, u identifikua si rrokje dhe përmasë e veçantë e poezisë së Ramadan MUSLIUT. Diskursi vlerësues që po e fuste gjuhën e reklamës në këtë laborator të poezisë në tekstin poetik “e zbulon varfërinë e vet romantike përballë jetës. Kjo teknikë është më e përmbajtur se grotesku i hershëm dhe shënon pjekurinë e një stili që i beson më shumë kontrastit se shpërthimit.” (f 34).
Qasja e këtillë përkufizuese na shpie andej ku “Ironia këtu është e ftohtë.”

PLANET E ZBËRTHIMIT

Është me interes të spikatet se si studiuesi Gjergji i zbërtheu ngërthesat poetike te libri GJENDJE NEUTRALE? Çka përmban nënteksti i neutralitetit poetik të Ramadan MUSLIUT? Neutraliteti, sipas Profesor Gjergjit, zbërthehet në tri plane: në planin estetik, planin ekzistencial dhe në planin etik. “Në planin estetik (nënvizim i M R) gjendja neutrale është përpjekje për të qëndruar në mes pa e anuluar tensionin. Në planin ekzistencial, është çasti kur subjekti nuk ka më sigurinë e rinisë, por nuk pranon as mpirjen. Në planin etik, është vetëdije për rrezikun e indiferencës.” (f 38).

TRUPI: TEKST HARTË DHE ARKIV

Në kapitullin e gjashtë të librit “Boshtet e mëdha të poetikës së MUSLIUT”, analizat e ngërthesave të shenjave autori i zbërthen me denduri përkufizimesh e sintezash të diskursit kritik. Kësisoj kapet trupi si tekst, si hartë dhe arkiv; koha si orë e zallit te kujtesa e kulluar; syri, pasqyra dhe politika e shikimit; zëri, heshtja dhe aparatet e komunikimit; amalgamat e tekstit si dialog, jo si dekor; natyrorja dhe artificialja; ngjyra si kategori e mendimit.

Në qoftë se rima e metri përfaqësojnë zonat tingullore të poezisë, poezia e Ramadan MUSLIUT shtrin gjymtyrët në vargun e lirë të papenguar në hapësirë e kohë, në një univers që nuk e kërkon jashtë përvojës, por që ndërtohet pikërisht prej saj. Natyrshëm struktura e mendimit nuk mund të jetë periferike. Në çështje të organizimit të vargut në librat e më vonshëm të poetit, Gjergji vë në dukje tipografinë “që nuk është zbukurim, por një formë e ikonizmit: teksti i ngjan lëvizjes që përshkruan.” (f 45).

KOHERENCA E KUPTIMIT

Duke zbërthyer tekstin poetik të Ramadan MUSLIUT, Gjergji nënvizon teknikën e shkrimit të poezisë së këtij poeti. E këtillë, si veçanti shprehjeje, kërkon një lexues aktiv ngase kuptimi “nuk jepet në një vijë të vetme.” Po si? “Duhet të ndërtohet nga marrëdhënia midis fragmenteve.” (f 45). Çanësimet e studiuesit pikërisht në këtë kontekst spikatin paraqitje paqartësie të kësaj mënyre të shkrimit poetik. Atëherë rruga e kuptimit na shpika te portat e mbyllura të hermetizmit? Duke ndjekur diskursin e këtillë pyetja nuk lë vend për indiferencë: a ka zbrazësi të kuptimit të kësaj varg thurjeje? Autori nga kjo logjikë dyshimi nxjerr pohimin: “Ajo nuk është hermetikë për shkak të mungesës së kuptimit, por sepse kuptimi është i shpërndarë.” ( f 45). Këtë konstatim diskursit të Sarë Gjergjit ia përtrollit teoria e Wolfgang Iser – it për zbrazësinë e tekstit poetik dhe marrëdhëniet e lexuesit që të ndërtojë koherencën e kuptimit.

INTELEKTUALJA DHE EMOCIONALJA

Ndërfutja në poezi e një regjistri fjalësh nga dijet e sferave të fizikës, gjeografisë, biologjisë, matematikës, teknologjisë dhe të administratës, Gjergji i kategorizon si regjistra të një fjalori funksional të ironisë, të një përpikërie poetike duke u përpjekur që shkencën t’ia përshtaste stilit figurativ. Nga kjo shumësi përdorimi regjistrash që tingëllojnë jo poetikë, poeti MUSLIU ndërtonte një realitet të përditshmërisë së përmbushur me absurde dhe, kahen e një mendësie që merr trajta groteske. Shqyrtimi vjen te arsyeja e çfarësisë së poezisë që në këtë shtrirje është e dyfishtë: intelektuale dhe emocionale.

Si i qaset leximit nga këndvështrimi prapa kodrës i poezisë së Ramadan MUSLIUT Sarë Gjergji? Le të nënvizojmë te poezia “Porta.” Çfarë konotacionesh kuptimore prodhon shenja themelore “Portë”: prag, kujtesë, kthim, hyrje – dalje, kapërcim… ? Ose “ora e zallit dhe korbi” e ndërtojnë lidhjen “midis kohës dhe vdekjes”; “Koha” te libri SHQISA E GJASHTË shpërfaq miniaturën e një bote pas xhamit… Çka konceptohet te “Trupi” nga prodhimet semantike të “Trupit”? Sinteza më përmbledhëse e diskursit për “Trupin” mund të jetë një shenjë e topografisë. Shtjellimi pak më i zgjeruar i gjen vendin emrit në “Trup” dhe, vendi i “Trupit” në histori.

KONFIGURIMI I RI

Duke i rimarrë të gjithë këta përbërës të “Trupit” poetik të veprës së Ramadan MUSLIUT: trup, zjarr, ujë, tokë, dritë – hije, vlerësimi shqyrtues i Gjergjit hedh dritën e përqendruar dhe, i piketon si elemente të vjetra në sintaksën e ndryshuar të marrëdhënieve të reja të poezisë me shtresëzimet e jetës. Këtu modernia nuk sjell tema të reja, porse ato i ngre “në konfigurimin e ri.”
Në botimet e më vonshme të poezisë së MUSLIUT, në më pak pamje Ai arrin të ngre një sistem më të kulluar të shprehjes, por reflektime më të dendësuara të porosive. Përmes elementeve të shkëputura, si: dita, shuplaka, hiri, purpuri, pejzash blu, pema e fikut, kujtesa, vijon thurjen e një serie kuptimesh të shqisës së gjashtë, përfytyrimesh, porosish duke përdorur një montazh më të filtruar. Sipas këtij diskursi është me interes arritja e disa përfundimeve, sikurse shkëputja e mendimit më të shkurtër për ëndrrën: “ajo është laborator i montazhit poetik.” Mirëpo, poeti ëndrrën e koncepton edhe nga këndvështrime tjera, ngase: “ajo mund të jetë mashtrim, frikë, dëshirë ose riciklim i kujtesës.” (f 57).

Përpos trajtimeve të disiplinuara dhe zotërimit të përmbushjes së kompetencave vlerësuese, Gjergji për poezinë e poetit MUSLIU shquan rolin misionar: “poezia e MUSLIUT është moderne jo vetëm në teknikë, por në pyetjen e saj morale: si të ruhet njeriu si qenie e ndjeshme kur sistemet e gjuhës, teknologjisë, historisë dhe konsumit priren ta reduktojnë?” Pastaj i kthen përgjigjen pyetjes në funksion të etikës: “Ai nuk jep zgjidhje programatike. Jep forma të vetëdijes.” Sërish konstaton: “Kjo është ndoshta përgjigjja më e qëndrueshme që mund të japë poezia.” (f 62).

IMAGJINATA MATERIALE

Qëmtimet përimtuese të kapjes kritike, estetike, ideore, ekzistenciale, brenda sfondit filozofik të transformimeve të materies, Gjergji i hetoi në vetë përbërjen e tyre, meqë më
parë hoqi lëvozhgat sipërfaqësore të dukjes. Graviteti i poezisë së MUSLIUT e tërhoqi mes të natyrshmes dhe të panatyrshmes. “Plastmasa nuk rritet, nuk kalbet, nuk ka stinë.” Sipas vlerësuesit kritik: “Poezia krijon argumentin përmes vetive të materialit.” (f 65).
Diskursi i kritikut percepton, zbërthen perceptimin dhe i kategorizon: ujin, zjarrin, hirin dhe kristalin si elementë të imagjinatës materiale. Secili nga këta përbërës material hyjnë në funksione ndërveprimesh imagjinare të kësaj poezie.

SHTATË SINTEZA TË POEZISË

Meqë u mor me lidhjen e hallkave të pesë librave të poezisë moderne dhe post moderne të MUSLIUT, Gjergji nuk shmangu veçantitë e “poetikës së transformimit,” si krye tipari i kësaj poezie. Nëpërmjet shtatë pasuesve sintetizues, që nga rëndësia ku qëndron dhe si pozicionohet kjo poezi, arritjet kryesore: aftësia për ta kthyer “erudicionin në përvojë”; dendësia e montazheve te poezia e më hershme, si dhe e figuracionit poetik; zhvendosja e shumësisë së figurave te pesha kuptimore; ekonomizimi i tekstit; “shqisa e gjashtë” si metafora më domethënëse e tërësisë së projektit poetik; rezistenca poetike te “GJENDJE NEUTRALE” dhe, qenia e poezisë kundruall artificiales, harresës, dallimit të ngjyrave të dhimbjes te zëdhënësja e heshtjes.

PËRMBYLLJE

Si akt përmbylljeje analizash e sintezash të këtij botimi studimor, mund të nxjerrim disa sinteza: leximi i poezisë së Ramadan MUSLIUT që nga pamja e sipërfaqes deri në thellësi të ngërthesave poetike, studiuesi Gjergji i zbërtheu me kompetencë, që shpie nga çmontimi i shenjave të dukshme dhe vetive të padukshme të trupit te PARODIA E TRUPIT e librit të parë, vijueshëm te evoluimi në librin e pestë GJENDJE NEUTRALE që distilon shenjat thelbësore të gjuhës e kujtesës; prore duke i shpëtuar nga rrudhja dhe format e trajtave të anemisë mbi të bukurën, gjithnjë nëpërmjet ri – veshjeve e ri – kuptimit të efektit kumt e kuptim.

Përgjatë kapitujve të lëndës hasim përmbyllje sintetike në titullime njësish; ato që marrin shtrirje të zgjeruara në brendi të njësive, por formulimi kësisoj shpërfaq densitet stilistik të atillë: ngaqë e shkurta vjel konceptimin e të zgjeruarës, një dëshmi për zotërim të kulturës së shkrimit i autorit të studimit ndërdisiplinorë Sarë Gjergji.

Libri studimor POETIKA E TRANSFORMIMIT pos përimtimit të formës dhe veçorive të fjalësit poetik, solli kërkime pothuajse shteruese për urtinë poetike. E tëra erdhi si pritje e një dijeje të etshme për ta trajtuar gjithanshëm, siç është poezia e sprovave të urtisë së Ramadan MUSLIUT. Sipas Gjergjit ana figurative e kësaj tipologjie poetike pazgjidhshëm lidhet me çfarësi të shenjave… Shenjat evoluojnë siç evoluon urtësia dhe përvoja njerëzore. Këtu tiparet e hershme marrin tipare transformuese, rimbushen me funksione që ua ngarkon pena e ngjyer në dhimbje e ironi, në absurdin bashkëkohor ndërmjet kontrastesh e groteskut, tiranisë e dhunës dhe këndej doli: “poezia si shqisë e rezistencës.”

Mund të pohojmë, gjithnjë duke ruajtur ndjeshmërinë e masës, se studimi i Profesor Dr. Sarë Gjergjit mbi poezinë e Ramadan MUSLIUT, i përmbush të gjitha kriteret vlerësuese sipas parametrave e standardeve të dijes bashkëkohore evropiane./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.