Policia ligjëron në shkollën “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë për parandalimin e dukurive negative
Gjilan – Zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan kanë mbajtur një ligjëratë vetëdijësuese me nxënësit e klasave të VIII-ta dhe IX-ta të shkollës së mesme të ulët “Mulla Idris Gjilani”, në fshatin Velekincë, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe parandalimit të dukurive negative te të rinjtë.
Ligjërata është organizuar nga zyrtarët e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, në bashkëpunim me zyrtarët e Njësitit të Komunitetit të Stacionit Policor në Gjilan.
Gjatë takimit me nxënësit janë trajtuar tema që lidhen me pasojat e përdorimit të substancave narkotike, bullizmin, dhunën psikologjike dhe fizike, si dhe rreziqet që mund të shfaqen nga përdorimi i papërshtatshëm i internetit.
Sipas Policisë, gjatë bashkëbisedimit është vënë në pah rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet policisë, mësimdhënësve, stafit arsimor dhe nxënësve për identifikimin, parandalimin dhe raportimin me kohë të dukurive negative.
Po ashtu, është theksuar se angazhimi i përbashkët i institucioneve dhe komunitetit është i rëndësishëm për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet vetëdijësuese dhe parandaluese në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe komunitetin, me synim rritjen e sigurisë dhe forcimin e partneritetit me të rinjtë./rajonipress/



