Gjilani hap edicionin e 17-të të “Vjeshtës Letrare”, në nderim të 80-vjetorit të shkrimtarit dhe studiuesit Anton Nikë Berisha
Gjilan – Kalendari i “Vjeshtës Letrare të Gjilanit”, përkatësisht edicioni i shtatëmbëdhjetë me radhë i këtij manifestimi letrar, u hap solemnisht më 17 tetor 2026, në orën 12:00, në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan. Veprimtaria e parë nga nëntë aktivitetet e planifikuara për gjatë dy muajve iu kushtua shënimit të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe studiuesit të shquar të letërsisë shqipe, prof. dr. Anton Nikë Berisha.
Anton Nikë Berisha është autor i shumë botimeve letrare në poezi e prozë, si dhe i një numri të konsiderueshëm shkrimesh kritike dhe studimesh letrare. Kontributi i tij i çmuar në letërsinë dhe shkencën letrare shqipe është vlerësuar ndër vite edhe nga institucione e organizime kulturore, ndërsa Komuna e Gjilanit e ka nderuar më parë me Çmimin Letrar “Beqir Musliu”. Ai njihet gjithashtu si një mbështetës i madh i shkrimtarëve nga Kosova Lindore dhe i veprimtarive letrare që organizohen në Gjilan dhe në Anamoravë.
Veprimtarinë solemne për shënimin e tetëdhjetëvjetorit të këtij personaliteti të shquar të letrave shqipe e drejtoi Blinera Hajdari, magjistre e letërsisë dhe krijuese e re nga Gjilani. Në hapje të aktivitetit, ajo u dëshiroi mirëseardhje personaliteteve të shumta letrare, krijuesve, studiuesve dhe artdashësve të ardhur nga Prishtina, Tirana dhe nga pjesa lindore e Kosovës.
Në mesin e të pranishmëve ishin emra të njohur të letërsisë shqipe, si Nazmi Rrahmani, Ibrahim Kadriu, Ramadan Mehmeti, Llesh Ndoji, Vlash Prendi, Albina Idrizi, Nexhat Rexha, Frrok Zefi dhe Mehmetali Rexhepi, si dhe artdashës e veprimtarë publikë nga Gjilani. Veprimtarinë e nderuan me praninë e tyre edhe ish-deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Lirije Kajtazi dhe Ismajl Kurteshi, përfaqësues të mediave dhe portaleve të ndryshme.
Për portretin letrar, personalitetin krijues e studimor të prof. dr. Anton Nikë Berishës, si dhe për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë shqipe, folën shkrimtari dhe studiuesi nga Tirana, Llesh Ndoj, shkrimtari dhe studiuesi i njohur nga Klina, Prend Buzhala, romansieri i mirënjohur Ibrahim Kadriu, i vlerësuar edhe në përmasa ndërkombëtare, si dhe shkrimtari Sabit Rrustemi, drejtues i Ars Clubit “Beqir Musliu”.
Përmes fjalëve të tyre, folësit sollën vlerësime për veprën e Berishës, për përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj studimit të letërsisë shqipe dhe për rëndësinë e krijimtarisë së tij në kulturën shqiptare. Në këtë përvjetor jubilar u vu në pah jo vetëm veprimtaria e tij e gjerë si shkrimtar, por edhe roli i tij si studiues i palodhur, kritik letrar dhe mbështetës i zhvillimit të jetës letrare në hapësirën shqiptare.
Pjesë e veçantë e programit ishte edhe interpretimi i krijimeve të reja poetike të autorit, të cilat u deklamuan nga anëtaret e Ars Clubit “Beqir Musliu”, Linditë Dushku, Liridonë Mehmeti dhe Donjetë Kryeziu. Interpretimet poetike i dhanë veprimtarisë një dimension të veçantë artistik, duke e afruar publikun me krijimtarinë e autorit dhe me botën e tij letrare.
Në përmbyllje të kësaj veprimtarie letrare, para publikut të pranishëm në sallën e konferencave të Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli”, fjalën e mori edhe vetë prof. dr. Anton Nikë Berisha. Ai u shpreh tejet falënderues për angazhimin dhe vlerësimin letrar që po i bën Gjilani, duke theksuar se një vëmendje e tillë ndaj personaliteteve të letërsisë përbën një vlerë të rëndësishme kulturore.
Berisha vlerësoi përkushtimin e organizatorëve dhe mbështetjen që Gjilani u kushton shkrimtarëve dhe veprimtarive letrare, ndërsa në shenjë mirënjohjeje i dhuroi drejtorit të Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli”, Qazim Azizi, disa nga botimet e tij më të reja. Libra nga krijimtaria e tij ai u dhuroi edhe artdashësve të pranishëm, duke e shndërruar këtë moment në një tjetër dëshmi të lidhjes së autorit me lexuesit dhe institucionet kulturore.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, Ars Clubi “Beqir Musliu” shpërndau falas për audiencën edhe numrin më të ri të revistës letrare “AGMIA”, nr. 52, i cili i kushtohet prof. dr. Anton Nikë Berishës me rastin e ditëlindjes së tij jubilare. Botimi i këtij numri u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës, nëpërmjet Departamentit të Kulturës, me sugjerimin e Këshillit të Librit pranë këtij institucioni.
Hapja e edicionit të shtatëmbëdhjetë të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit”, përmes një veprimtarie kushtuar jetës dhe veprës së Anton Nikë Berishës, shënon një tjetër moment të rëndësishëm për jetën kulturore të qytetit. Me nëntë veprimtari të parapara përgjatë dy muajve, ky manifestim synon të vazhdojë promovimin e letërsisë shqipe, të krijuesve dhe studiuesve të saj, si dhe të ruajë traditën e Gjilanit si një hapësirë e rëndësishme e takimeve dhe e veprimtarive letrare në Anamoravë. (K. Rexha)


