Gjykata cakton masën e paraburgimit dy të pandehurve
Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji dy të pandehurve B. A. dhe S. H., të cilët dyshohen për kryerjen e dy veprave penale të narkotikëve.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan gjatë muajit shtator 2026 e deri me datë 16 tetor 2026 në Gjilan dhe në lokacione të ndryshme, i pandehuri S. H. me të pandehurin B. A. duke vepruar në bashkëpunim, me aktivitet të shtrirë në territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, paautorizim kanë organizuar, drejtuar, blerë, shitur, shpërndarë dhe transportuar substancë narkotike të llojit “marihuanë”, në atë mënyrë që i pandehuri B. A. të sigurojë narkotikun, ndërsa transportin ta kryente i pandehuri S. H.
Me datë 16 tetor, gjatë zbatimit të kontrollit nga Policia e Kosovës, në fshatin Velekincë të Komunës së Gjilanit, në pronën e të pandehurit B. A. në veturën e tij gjenden 10 (dhjetë) me sasi të dyshuar të substancës narkotike të llojit “marihunë”, në peshë prej 53.2 kilogram.
Më këto veprime të pandehurit dyshohet të kenë kryer veprat penale në bashkëkryerje organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope dhe veprën penale blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./rajonipress/

